Somali, mbi 100 xhihadistë të vrarë nga operacionet ushtarake

schedule22:45 - 12 Shtator, 2023

schedule 22:45 - 12 Shtator, 2023

Ushtria Kombëtare Somaleze (SNA) njoftoi se 120 luftëtarë të grupit xhihadist Shebab u vranë në 48 orët e fundit në një operacion në shkallë të gjerë në rrethin Galmudug, në pjesën qendrore të vendit.

Zëvendësministri i Informacionit, Kulturës dhe Turizmit të Somalisë Jusuf al-Adala tha për agjencinë kombëtare të lajmeve SONNA se në dy ditët e fundit forcat e armatosura kanë nisur 17 sulme kundër pozicioneve të grupit xhihadist.

“Ndër 120 viktimat e këtyre operacioneve janë komandantët e lartë të Shebab. Ata ishin arratisur të hënën nga qyteti El Garash, të cilin nuk kishin arritur ta mbronin. Breshëria e sulmeve i kishte dobësuar ata”, tha zëvendësministri gjatë vizitës së tij në rrethin Galmudug.

Zëvendësministri i Informacionit nuk përmendi ndonjë viktimë të forcave të armatosura somaleze. Duke iu drejtuar forcave të sigurisë, ai u kërkoi atyre që të vazhdojnë me intensitet të pandërprerë operacionet për të çmontuar çdo celulë terroriste në zonë.

Në muajt e fundit, ushtria somaleze ka rifituar kontrollin e disa zonave që ishin nën kontrollin e Shebab. Grupi xhihadist, i cili mban lidhje të forta me al-Kaedën, ka zhvilluar një luftë të armatosur kundër qeverisë federale të Somalisë, të mbështetur nga ndërkombëtarët për më shumë se 15 vjet, me synimin për ta rrëzuar atë dhe për ta detyruar vendin në versionin e tij ekstrem të ligjit islamik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!