Trajneri i skuadrës së Manchester United, Solskjaer ka deklaruar se mesfushori Pol Pogba do të respektojë kontratën që ka me klubin anglez. Futbollisti francez ka oferta nga Real Madrid dhe Juventus dhe ka shprehur dëshirën për të nisur një aventurë të re.
Tensionohet situata në radhët e skuadrës së Manchester United. Këtë merkato verore pritet një eksod largimesh që kryesohet nga mesfushori Paul Pogba. Francezi ka oferta nga Juventus dhe Real Madrid ndërkohë që dëshira e 26-vjeçarit është të largohet nga Old Trafford. Nuk është i këtij mendimi trajneri i skuadrës angleze Solskjaer i cili ka bllokuar largimin e Pogba, De Gea dhe Sanchez. Kreu i pankinës së Manchester United i është kundërpërgjigjur agjentit të Pogba, Mino Raiola duke theksuar se politikat e klubit nuk lejojnë largimin e yjeve të skuadrës.
“Në dijeninë time nuk ka patur oferta për asnjë lojtar. Ne jemi Manchester United dhe nuk duhet të shesim lojtarët tanë më të mirë. Pogba nuk ka qenë kurrë një shqetësim për mua. Ai po punon shumë, është një profesionist i vërtetë dhe një djalë krenar. Nuk mund të rri këtu duke folur për atë që thonë Paul dhe menaxheri i tij. I kanë mbetur edhe disa vite në kontratë. Unë duhet të flas për përgatitjet e sezonit që po vjen. Menaxherët e kanë biznes, flasin gjatë gjithë kohës, por ne nuk kemi patur ndonjë ofertë, kjo është gjithçka që mund të them për këtë çështje.”
Manchester United ka nisur fazën përgatitore në Australi. Me skuadrën është bashkuar edhe Pogba, i cili nuk duket të jetë aspak i lumtur./ABC News Albania 24/7