Ole Gunnar Solskjaer, trajneri i Manchester United, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen kundër PSG në Champions League. Ai foli edhe për emra të veçantë si Cavani e Bruno Fernades, sikurse edhe për lojtarët e lënë jashtë listës së Champions.
“Ne kemi ‘peshkuar’ finalistët dhe gjysmëfinalistët e sezonit të shkuar në Champions League dhe kjo është mundësi e parë për të luajtur me ekipet ‘top’ menjëherë. Kjo do të jetë sfida më e madhe për këtë ekip. Të gjithë duan të marrin pjesë në Champions League dhe të ndeshen me ekipet më të forta”, tha fillimisht Solskjaer.
Cavani nuk është grumbulluar për këtë ndeshje dhe tekniku i Manchester shton: “Cavanit i duhen edhe disa ditë të stërvitet, para se të mendojë të luajë. Ndoshta fundjavën e ardhshme mund ta grumbullojmë”.
Për Bruno Fernandes ka vetëm fjalë të mira dhe Solskjaer shprehet kështu: “Ka pasur një impakt të madh në ekip dhe të gjitha statistikat e tregojnë diçka të tillë”. Në fund trajneri i Manchester United flet edhe për Jones, Romero e Rojo që nuk janë në listën e “Djajve të Kuq” në Champions.
“25 lojtarë mund të përfshihen në listë. Phil është i dëmtuar, Marcos gjithashtu. Ai ka qenë për disa kohë larg fushave të blerta. Sergio nuk është kthyer ende në stërvitje me ne dhe na u desh të bëjmë një listë me lojtarët që janë të gatshëm”. /abcnews.al