Vetëm sezoni i parë në NBA dhe menjëherë një rekord mbresëlënës. Kon Knueppel është njeriu i momentit në basketbollin amerikan, pasi në ndeshjen e fundit ndihmoi Charlotte në fitoren 109-133 në fushën e Miami, duke shkruajtur historinë si debutuesi me më shumë tripikësha.
I zgjedhur në draftin e fundit nga Hornets, rishtari numëron 207 gjuajte të sakta për tre në 59 ndeshjet e luajtura në sezonin e parë të tij mes gjigandëve të basketbollit.
Vetëm 20 vjeç, Knueppel realizoi 8 nga 12 tentativat e tij për tre, duke thyer rekordin që mbahej nga Keegan Murray.
Po ashtu, me 28 pikët gjithsej, ai ishte shënuesi i dytë më i mirë në sfidën kundër Heat.
Që prej ndeshjeve të tij të para në NBA, mbrojtësi i skuadrës nga Charlotte nisi të quhej nga shokët e ekipit dhe tifozët e tij me emrin e “Snajperit të bardhë.
Kjo lidhet me shifrat e tjera që shoqërojnë debutimin e tij fantastik në NBA.
Ai është gjuajtësi për tre më i saktë në këtë edicion të kampionatit më të bukur dhe më të fortë të basketbollit në botë, me një përqindje saktësie më shumë se 44%.
Po ashtu, me një lartësi prej 1 metër e 98 centimetra, Knueppel veçohet për stilin e tij “kap dhe gjuaj”.
Paraqitjet e basketbollistit të ri nuk I kanë shpëtuar syrit të mjeshtrave të gjuajtje për tre si Stephen Curry dhe Donovan Mitchell, të cilët kanë folur me superlativa për 20 vjeçarin, që sipas mediave amerikane është favorit për trofeun e “Debutuesit të Vitit” në NBA.


