Edhe pse kryetari i Parlamentit Italian Antonio Tajani ka kërkuar falje publike me një letër dërguar eurodeputetëve dhe presidentëve të Kroacisë dhe Sllovenisë, reagimet pas deklaratave të tij, vijojnë të jenë të ashpra.
Nuk mund të konsiderohet ende i mbyllur incidenti diplomatik i krijuar nga kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, pas deklaratave në Ditën e Kujtimit. Tajani kishte thënë: “Rroftë Trieste, rroftë Istria italiane dhe Dalmacia italiane”.
Një peticion në Change.org, i krijuar nga grupi i socialistëve dhe demokratëve në parlamentin e Bashkimit Europian, kërkon dorëheqjen duke mbledhur deri tani pesë mijë firma. Mes atyre që kanë firmosur janë politikanë të njohur sllovenë e kroatë por dhe shkrimtarë, regjisorë, aktorë dhe profesorë universiteti.
Ata që kanë firmosur peticionin kërkojnë një qëndrim të ashpër të Komisionit Europian dhe Këshillit, pasi ekziston bindja se kjo lloj retorike duhet dënuar nga Bashkimi Europian.
Kryetari i Parlamentit Europian kërkoi falje për faktin se kishte përdorur fjalë që mund të kenë ofenduar qytetarë sllovenë dhe kroatë pasi mund të jenë interpretuar si një pretendim territorial. Tajani i ka dërguar një letër deputetëve europianë, por dhe presidentëve të Kroacisë dhe Sllovenisë të cilët i kishin kërkuar presidentit Italian Matarela që Tajani të kërkonte falje në mënyrë të qartë dhe publike./abcnews.al