Sliema Wanderers e bind, shtatlarti i Shqipërisë U19 lë Shkëndijën dhe firmos

schedule10:39 - 2 Gusht, 2021

schedule 10:39 - 2 Gusht, 2021

Neshat Murati, qendërmbrojtësi i ri që është pjesë e kombëtareve të moshave kuqezi, është transferuar në Maltë.

I formuar te Shkëndija e Tetovës, 19-vjeçari ka menduar ta vazhdojë karrierën larg Maqedonisë së Veriut dhe ka nënshkruar me FC Sliema Wanderers.

 

Shtatlarti më parë është testuar edhe në Kroaci, por parësore për të është të luajë dhe trajneri Andrea Pisanu pritet t’i japë hapësira në sezonin e parë si profesionist.

Pak ditë më parë Murati shkruante në rrjetet sociale për ndarjen nga Shkëndija: “Përshëndetje shokë, miq dhe dashamirë të futbollit. Me keqardhje ju njoftoj se nga sot nuk jam më pjesë e KF Shkëndijës.

Dua të falënderoj trajnerët, bashkëlojtarët dhe gjithë stafin e Shkëndijës, nga moshat e reja e deri tek ekipi e parë, që ishim bashkë këto 6 vite. Çdo ndarje është e vështirë, por sporti është i tillë dhe duhet të shihet karriera si futbollist përpara.

I uroj Shkëndijës shumë sukses vitet në vijim dhe shpresoj të kthehem sërish një ditë te klubi i zemrës, ku u formova si lojtarë, sepse karriera është e gjatë dhe nuk i dihet kurrë se ku përfundon! Faleminderit Shkëndijë”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!