Skulptori që frymëzohet nga “Joni”: Kam punuar në shumë vende, nuk krijoj dot si në Sarandë

schedule20:25 - 15 Prill, 2023

schedule 20:25 - 15 Prill, 2023

Ilir Dalanaj i ka kushtuar skulpturës gjithë jetën e tij. Prej 50 vitesh, i ka dhënë formë mermerit duke e kthyer në një vepër arti. Pasioni për skulpturën nisi që në fëmijëri.

“Ka filluar që kur isha fëmijë në klasën e 3 dhe ndoqa kursin e vizatimit, dëshira për të punuar dhe për të vizatuar më lindi që në klasën e 3, ishin vitet e një fëmijërie të këndshme, kisha një mësues te shkëlqyer që na rrinte te koka, mësova derisa arrita mbarova edhe shkollën”, u shpreh ai.

E gjetëm në punishten e tij duke punuar. Tregon se lodhja nuk është asgjë para kënaqësisë që merr, kur sheh punën e tij të realizuar me sukses.

“Të arrish të punosh 12 orë në dite në skulpturë, nuk është gjë e vogël, i thonë 1 herë talent edhe 10 herë punë. Tani u bënë 50 vite që unë bej këtë punë, kam qenë edhe mësues dhe përfundimi është që vetëm me punë arrin gjithçka. Ky art në thelb për mua është jeta, dëshira, këtu mrekullohesh, sepse kur punon ndihesh ndryshe, ndihesh me vlerë, dhe në momente të caktuara krijon gjëra që vërtet nuk i arrin dot, kjo varet me talent, po ke talent i arrin, po kërkove arrin po nuk kërkove nuk arrin dot”, tha ai.

Ka lëvizur në shumë shtete të botës, por frymëzimin që merr nga Saranda, nuk ka arritur ta gjejë në asnjë vend.

“Saranda dhe deti të jep kënaqësinë dhe nga vet natyra të frymëzon sepse është vet natyra që është e bukur, ka diell, po pate diell ke edhe shpirt të bardhë, merr fuqi, dielli është vitamina D. Unë punova shumë në skulpturë në Itali dhe Greqi, punova shumë dhe gjeta shpirtin atje, sepse këtu nuk na u dha mundësia te punoj në mermer”, u shpreh Dalanaj.

Zhurma e çekanit mbi mermer është për Ilirjanin melodia më e bukur.

Në Sarandë ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e qytetarëve, por edhe të turistëve të cilët i marrin me vete punimet e tij.

Ilirjani tregon se punimet nuk i emërton, pasi e bukura sipas tij ka si qëllim jo të identifikohet, por të shijohet./abcnews.al