Sëmundja e ka mposhtur 13 vite më parë nga ana shëndetësore, por jo nga ajo artistike e krijuese. Ksenofon Kostaqi, një nga emrat më të njohur në Gjirokastër, vijon edhe sot të realizojë vepra të ndryshme pranë studios që ka improvizuar në banesën e tij.
Në një karrierë gati 60-vjeçare, Gori, ashtu siç e thërrasin në Gjirokastër, numëron mbi 150 krijime të ndryshme në gurë, baltë, bronx e dru.
Sot për fat të keq, ai e ka të pamundur të bashkëbisedojë me ne për shkak të sëmundjes, e cila I ka goditur edhe një prej gjymtyrëve të sipërm, por asgjë nuk pengon mjeshtrin, I cili është vlerësuar edhe me titullin artist I merituar të vijojë të krijojë art. Veprat e tij sot I hasim kudo në Gjirokastër si Obelisku qytetit, bazorelivi I festivalistëve, ai I luftës së Mashkullores apo edhe busti I dy heroinave Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima, vepër të cilën e përfundoi pak kohë më parë dhe e punoi vetëm me një dorë.
Gori e ka të pamundur të flasë, por bashkëshortja e tij, Andromaqi, na shpjegon për karrierën, realizimet dhe sëmundjen që artisti përballet prëj 13 vitesh.
Bashkëshortja e tij thotë se pavarësisht gjendjes shëndetësore, Gori punon 2-3 orë ditë për ditë për të realizuar punime, të cilat për fat të keq, sot I punon vetëm me allçi pasi e ka të pamundur që t’i përfundojë ato në dru.
Për fat të keq, Ksenofoni nuk ka një mbështetje nga autoritetet si artist i merituar, veç vullnetit të tij individual e artistik.
Miku i tij më i ngushtë Stefan Arseni thotë se Gori ka një gamë të gjerë stili dhe mënyre në realizimin e veprave artistike, por për të brenga më e madhe është lënia e tyre në mëshirë të fatit.
Gjirokastra sot krenohet me krijimtarinë e Ksenofon Kostaqit, krijimtari e cila përcjell personazhet dhe fragmente nga pjesë të ndryshme të jetës e historisë. Punimet e tij I japin edhe më tepër bukuri qytetit të UNESCO-s ku autoritetet dhe komunitetet duhet të tregojnë respekt për punën e këtij artisti të madh e të palodhur, të cilin sëmundja nuk I ndërpreu dot krijimtarinë e për fat të keq, jeton vetëm me një pension të parakohshëm./abcnews.al