Skuadrat e Superiores nuk kursejnë trajnerët

schedule22:55 - 27 July, 2019

schedule22:55 - 27 July, 2019

5 skuadra të kategorisë superiore kanë ndryshuar trajnerët pas përfundimit të sezonit të kaluar. Tirana, Teuta dhe Laçi nuk kanë bërë ndryshime në bankina.

Ndryshimet në klubet shqiptare nuk kanë prekur vetëm lojtarët, por edhe trajnerët. Titulli kampion me Partizanin nuk mjaftoi që trajneri Skënder Gega të vazhdonte projektin duke zgjedhur të largohej edhe pse për arsye personale.

Partizani nuk humbi aspak kohë dhe gjeti menjëherë pasuesin pasi skuadra ishte në vigjilje të aventurës europiane. Të kuqtë zyrtarizuan trajnerin italian Franko Lerda, i cili deri më tani nuk ka përmbushur pritshmëritë.

Ndryshim edhe në pankinën e skuadrës së Kukësit. Presidenti Safet Gjici shkarkoi nga posti i trajnerit Ernest Gjokën pas eliminimit në turin e parë të Europa League përballë Debrecen.

Verilindorët zyrtarizuan shumë shpejt trajnerin e ri Shpëtim Duron i cili do të drejtojë verilindorët në sezonin e ardhshëm. Edhe pse është përfshirë nga një eksod largimesh të futbollistëve skuadra e Flamurtarit është shumë pranë zyrtarizimit të trajnerit të ri pas largimit të Ilir Dajës.

Klubi vlonjat ka gjetur akordin me teknikun Julian Ahmataj, i cili drejtoi skuadrën e Luftëtarit në sezonin e kaluar. Një lëvizje e pakuptueshme në radhët e Flamurtarit ndërkohë që Idrizi ka zbuluar se skuadra do të kompletohet shumë shpejt.

Largimi i presidentit Tavo në radhët e Luftëtarit nuk e ka penguar skuadrën për të vijuar punën për trajnerin e ri. Aludohet se Klevis Dalipi do të jetë trajneri i ri i bluzinjve ndërkohë që drejtor teknik do të emërohet Klodian Duro.

Vllaznia e zgjidhi pak ditë më parë çështjen e trajnerit. Pas largimit të Canaj u zyrtarizua trajneri nga Maqedonia e Veriut, Mirsad Jonuz. Në skuadrën e Skënderbeut nuk ka asnjë lëvizje pas largimit të Orges Shehit. Ndërkohë që në skuadrën e Tiranës dhe Teutës konfirmohen Ardian Mema dhe Bledi Shkëmbi./ABC News Albania 24/7