Polemikat në futbollin italian nuk mungojnë kurrë. Napolit iu mohua një penallti kundër Atalantës, çka do të çonte rezultatin në 3-1 për ekipin e Ancelottit. Gjyqtari vazhdoi lojën, nuk e mori mundimin të shihte pamjet dhe miqtë shënuan duke barazuar rezultatin në aksionin pasardhës.
Edhe Genoa protestoi ashpër. Kartoni i dytë i verdhë për Cassatën nuk ishte i saktë, por mesfushori xhenovez përfundoi jashtë dhe ekipi i Thiago Mottës luajti pothuajse gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak. Miqtë nuk ishin dakord as me penalltinë e Ronaldos në minutat shtesë, që vulosi fitoren e bardhezinjve.
Rreth kësaj situate ka reaguar Miralem Pjanic. Mesfushori boshnjak thumbon kundërshtarët dhe tenton t’i japë fund polemikave me deklaratat e tij për Tuttosport.
“Të fajësosh të tjerët është rruga më e shkurtër, por arbitrat gabojnë si gjithë të tjerët. Unë nuk i dëgjoj më polemikat që krijohen. Skuadrat e mëdha fitojnë në fund pa krijuar alibi“, thekson boshnjaku i “Zonjës së Vjetër”. /abcnews.al