Lulzim Basha premton se në 100 ditët e para të qeverisjes do të mundësojë plotësimin e 15 parakushteve nga Brukseli për hapjen e negociatave. “Ne do i plotësojmë 15 parakushtet brenda 100 ditëve të para” tha ai.
Por çfarë mendon ai për vendet skeptike, mes tyre Holandën që ka zgjedhje dhe Francën? “Nuk ka lidhje, janë të gjitha gënjeshtra, janë justifikime. Nëse vendi i plotëson kriteret e merr atë që është premtuar. Ju e njihni perëndimin. Në perëndim nuk shkohet me hile, sajesa dhe lobime.
Kur perëndimi thotë duhet të plotësosh këto kushte që të marrësh këtë që kërkon, kur e thotë e bën, kush më mirë këtë e di sesa unë, jo 15 sa janë sot, por 150 kushte të plotësuara në më pak se 2 vite, tregojnë se Shqipëria i ka mundësitë dhe potencialet, ne e bëmë realitet. Dhe kur flitej për këtë edhe miqtë tanë rrinë me kokat poshtë, nuk e besonin se do të lëvizim pa viza. Prandaj ju ftoj, votoni për ndryshimin” tha ai.
Në fund të emisionit, gazetari Endri Xhafo e pyeti Bashën nëse në ditët e mbetura të fushatës do të ketë dalje publike se bashku me aleatët e koalicionit, por edhe Monika Kryemadhin?
“Pa diskutim që aleanca dhe koalicioni funksionon, por kushtet e pandemisë na kanë pamundësuar madje edhe praninë e të gjithë kandidatëve në një aktivitet politik. Aleanca për ndryshim është e bashkuar, koalicioni është i vendosur, vota për numrin 9 sjellin ndryshimin për cdo shqiptar” përfundoi Basha.db/ Abcnews.al