Skënderbeu, sot në seancën e gjykatës sportive

schedule15:20 - 16 Prill, 2019

schedule 15:20 - 16 Prill, 2019

Skënderbeu është mbrojtur sot në Gjykatën Sportive në Lozanë të Zvicrës. Klubi korçar kërkon heqjen e dënimit të UEFA-s, ndërsa vendimi pritet të jepet pas disa javësh.

Udhëtimin drejt Lozanës e bënë me humor të mirë. Drejtuesit e Skënderbeut me presidentin Takaj në krye janë në Zvicër, ku patën seancën dëgjimore të gjyqit me UEFA-n. Kampionët e Shqipërisë në fuqi kërkojnë anulimin e vendimit me 10 vite përjashtim nga kupat e Europës, dhe të gjobës prej 1 milionë eurosh.

Takaj është shprehur se optimizmi është i madh dhe se është i sigurt se klubi I tij do të shpallet i pafajshëm nga akuza për trukim ndeshjesh, ndonëse vendimi i KAS-it pritet të merret më vonë.

Gjithsesi, burime pranë klubit janë shprehur për ABC News, se do të mirëpritej edhe një ulje e dënimit deri në 3 vjet, ndonëse kjo nuk duhet të thuhet publikisht.

Për të fituar gjyqin, korçarët kanë pajtuar një agjenci të specializuar zvicerane, për të cilën besohet se kanë paguar 500 000 euro, ndërsa do të mbështeten tek argumentet se nuk ka prova për trukimet, dhe se nuk është e vërtetuar se kush i ka përfituar paratë e basteve.

Skënderbeu ka bërë me dije se ka pasur ndryshime edhe në panelin e UEFA-s që mori vendimin për dënimin.

Skuadra korçare u akuzua se trukoi disa ndeshje në Ligën e Europës dhe në Champions, qoftë në turet kualifikuese, apo në fazën e grupeve, diçka që vazhdon të mohohet prej drejtuesve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!