Skënderbeu pret vendimin e CAS-it

schedule13:32 - 18 Qershor, 2019

schedule 13:32 - 18 Qershor, 2019

Skënderbeu hedh poshtë çdo koment për vendimin e pritshëm të Gjykatës Sportive në Lozanë të Zvicrës. Klubi korçar thekson se nuk dihet se çfarë vendimi do të merret në 21 Qershor.

Besimi është i madh tek suksesi, por ftesa vjen për përmbajtje. Skënderbeu konfirmon datën 21 Qershor si përfundimtare në betejën e tij kundër dënimit të UEFA-s, veçse klubi korçar nuk dëshiron të ngrihen shumë hipoteza e të bëhen shumë komente.

Në një reagim zyrtare në rrjetet sociale, ish-kampionët e Shqipërisë deklaruan se çdo koment apo shkrim në media duhet të quhet i pavërtetë dhe i pasaktë.

“Në korrespondencën mes palëve është njoftuar se klubi do të njihet me vendimin në datë 21 qershor, – shkruhet në deklaratë, – lutemi, prisni me qetësi datën dhe njoftimin zyrtar”.

Duket se Skënderbeu mori shkas nga një artikull në mediat e shkruara, saktësisht në “Panorama Sport”, ku flitej për një akord mes palëve që klubi shqiptar të marrë pafajësinë, por të përfitojë 5 milionë euro dëmshpërblim, jo 25 milionë.

Në klubin e Korçës, optimizmi është theksuar disa herë nga burime pranë presidentit Takaj, duke theksuar se ka tërheqje nga personat që kanë dëshmuar në UEFA.

Po ashtu, presidenti beson tek studioja ligjore që ka pajtuar, dhe që është ndër më të mirat në Zvicër dhe në Europë, për të cilën thuhet se ka shpenzuar 500 000 euro.

Skënderbeu u dënua nga UEFA i akuzuar për trukim ndeshjesh në Champions dhe në Ligën e Europës, vendim që u mbajt në fuqi edhe nga komisionet e apelit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!