Skënderbeu me 9 humbje në 10 ndeshje

schedule18:07 - 23 Shkurt, 2019

schedule 18:07 - 23 Shkurt, 2019

Skënderbeu pësoi ndaj Tiranës humbjen e 9-të në 10 ndeshjet e fundit në Superligë. Tifozët akuzojnë skuadrën, ndërsa futbollistët vazhdojnë të largohen.

S’ka harresë epoka e trofeve, ndër më të mëdhatë në Shqipëri. Skënderbeu europian, po ashtu, ka hyrë në histori, si i pari ekip shqiptar në fazën e grupeve të Ligës së Europës, madje dy herë radhazi.

Gjithsesi, bota dihet se është jallane, siç thotë fjala popullore, dhe tifozët korçarë po kalojnë tani në një epokë tjetër, që e kanë njohur më parë, dhe nuk do të donin ta provonin përsëri.

Në vetëm 3 muaj, shpërfytyrimi është thuajse i plotë, dhe ndaj Tiranës u pësua humbja e 9-të në 10 ndeshjet e fundit në Superligë.

Diçka që të kujton Dinamon kampione të vitit 2010, madje edhe më keq, pasi kryeqytetasit pësuan 8 humbje në fund, nga të cilat 7 radhazi.

Çfarë po ndodh me skuadrën e shekullit të 21-të në Shqipëri?

Mos vallë ajo për të cilën po akuzojnë tifozët në rrjetet sociale?

Pra, tolerime të qëllimshme, për interesa aspak sportive?

Apo thjesht rënie e motivimit të ekipit, pas largimeve të shumta, e ndoshta problemeve financiare, shto këtu edhe dënimin e UEFA-s që mbetet ende në fuqi?

Edhe pse skuadra ka nevojë për t’u forcuar, lojtarët vazhdojnë të ikin.

Fidan Aliti u largua pak javë më parë për te Kalmari në Suedi, ndërsa së fundmi edhe mesfushori Demte që kaloi te Sirianska, po ashtu në Suedi.

Gjithsesi, nuk mund të thuhet se sezoni nisi keq, madje Skënderbeu arriti dy fitore radhazi ndaj Partizanit duke qenë në krye në fillim të muajit nëntor.

Presidenti Takaj, sidoqoftë, duket se e parandjente se çfarë do të thoshte, kur fliste me rezerva pas suksesit në “Selman Stërmasi”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!