Skënderbeu shpreson të lerë pas atë që ndodhi me Kastriotin, dhe të arrijë një kualifikim në Kupën e Shqipërisë. Trajneri Orges Shehi flet për problemet dhe gjendjen e skuadrës
Një stërvitje e fortë është mënyra më e mirë për të harruar. Skënderbeu i është rikthyer përgatitjeve në Korçë, pas humbjes dhe tensioneve në Fushë Krujë me Kastriotin, ndërsa vëmendja është për duelin e Kupës, ndaj Besëlidhjes. Trajneri Orges Shehi nuk flet për formacionin, por thotë sesi do të vendosë për ata që do të luajnë.
“Kemi marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë dhe nesër do ta vlerësojmë maksimalisht. Do fusim të gjithë lojtarët që mendojmë se do të jenë më të gatshëm për këtë takim”, tha Shehi.
Shehi pyetet për ultimatumin e presidentit Takaj për braktisje të mundshme të garës.
“Nuk mund të komentoj deklaratat e presidentit. Presidenti është shkalla më e lartë e klubit. Ne do të përqëndrohemi te ndeshja nesër sepse po afron sepse nuk mund të qajmë atë që iku. Sepse duke qarë atë që iku fillojmë e humbim atë që vjen nesër. Përqëndrimi maksimal është te ndeshja nesër”, tha ai.
Largimi i Fidan Alitit ka sjellë pakësim të lojtarëve në mbrojtje, ku ka pak alternativa.
“Është një largi që në kuadrin e organikës na dobëson, por është një largim që në kuadër të strategjisë të kklubit është një transferim që çdo lojtar i Skënderbeut ia uronim ta bënte”, tha trajneri Shehi.
Trajneri i lejon vetes të mendojë edhe përtej ndeshjes së radhës.
“Rezultatet s’kanë qenë ato që do dëshironim. Ne do bëjmë maksimumin që të rikthehemi që këtë javë te rezultatet. Ka pasur shumë faktorë. Një nga faktorët ka qenë se grupi nuk ka qenë asnjëherë i plotë. Ndeshja me Laçin, kontigjenti do jetë i plotë dhe shpresojmë të kthehemi aty ku duhet”, theksoi Shehi.
Skënderbeu e ka fituar ndeshjen e parë të Kupës, në Lezhë, ndaj Besëlidhjes me shifrat 2-1./abcnews.al