Skënderbeu e Partizani rrezikojnë pas dhunës në ndeshje

schedule16:15 - 21 Gusht, 2018

schedule 16:15 - 21 Gusht, 2018

Skënderbeu e Partizani rrezikojnë pasoja të ashpra pas asaj që ndodhi në ndeshjen mes tyre në Superligë. Parashikohet nga humbje e ndeshjes në tavolinë, deri në zhvillimin e disa takimeve pa spektatorë.

E qëllimshme apo rastësore, dhuna në Korçë pritet të ketë të ndëshkuar. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit pritet të mblidhet këtë mesjavë dhe Skënderbeu e Partizani, sipas të gjitha gjasave, do të ndëshkohen ashpër pas sfidës së javës së parë të Superligës.
Kodi i Disiplinës parashikon deri humbje ndeshjeje në tavolinë dhe dënime të tjera, në bazë të neneve 65, lidhur me dështimin në organizim të ndeshjeve.

Hyrja e personave në fushë që shkaktojnë dhunë, dhe ndërprerja e përkohëshme e ndeshjes parashikojnë që ekipi pritës të humbasë ndeshjen në tavolinë 3-0. Po ashtu, për të dy klubet, Skënderbeun e Partizanin, është parashikuar se mund të dënohen deri në 4 ndeshje pa spektatorë, kur tifozë hyjnë në fushë, sjellin ndërprerje të ndeshjes dhe hedhin sende të forta brenda rrethimit të fushës. Mes kryeqytetasve dhe korçarëve ka pasur edhe duel deklaratash dhe akuzash së fundmi.

Partizani deklaron se përgjegjësinë për dështimin e organizimit të takimit e ka klubi pritës dhe nuk mund të ketë justifikime për mungesën e policisë. Skënderbeu kërkon ndërkaq, nxjerrrjen para ligjit të autorëve të dhunës, duke akuzuar se tifozët e Partizanit kanë 4 vjet që shkaktojnë dhunë në Korçë. Skënderbeu e fitoi ndeshjen 1-0 me gol shënuar me penallti në minutat shtesë, por nuk munguan ankesat për gjykimin. Kryeqytetasit pretenduan për 11-metërsh që në minutat e para të takimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!