Akordi ishte arritur prej kohësh. Skënder Gega mbetet vetëm të zyrtarizohet si trajneri i ri i Al Ramtha në Jordani. Tekniku tropojan tashmë është gati ta nisë eksperiencën e re, teksa ka postuar edhe një foto nga aeroporti.
Ditën e nesërme pritet të vijë edhe prezantimi i Gegës në krye të skuadrës së re. Pritshmëritë për të janë larta, duke ditur që një vit më parë riktheu titullin kampion te Partizanit. Skuadra e tij e re ka edhe më shumë seç kishin “demat” pa e fituar titullin dhe normalisht misioni i teknikut shqiptar nuk do të jetë i lehtë.
AL RAMTHA – Bëhet fjalë për një klub që nuk e fiton titullin kampion që në vitin 1982. Asokohe klubi jordanez e ngrinte dy herë radhazi trofeun më të rëndësishëm atje. Këtë sezon ata kërkojnë të luftojnë për vendet e sipërme në tabelë, pse jo të fitojë edhe titullin kampion.
Gjatë kësaj periudhe Al Ramtha ka bërë disa lëvizje në merkato dhe shpreson të jenë të duhurat dhe në fund të arrihet objektivi sezonal. Gega më parë ka drejtuar edhe në Kuvajt, ku ka qenë në krye të Al Jahra. Kjo do të jetë eksperienca e dytë në Lindjen e Mesme për trajnerin kampion të Superiores një vit më parë. /abcnews.al

