Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deklaroi pak ditë më parë se nëse do të ketë shtim të rasteve, të infektuarit do të trajtohen në Tiranë, me hapjen e spitaleve të tjera Covid.
Nëse rritet numri i të shtruarve tek spitali Covid-1, pacientët e radhës që do të rezultojnë të infektuar do të kalojnë tek spitali Covid-3, pra tek ish-kirurgjia.
Më tej, nëse rriten rastet edhe në terapi intensive, paralelisht do të kalohet tek Covid-2 ose Sanatoriumi dhe më pas është skenari për Covid-4, tek ish-Kristali.
Në lidhje me këtë foli sot në Shkodër edhe zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë, Mirela Cami.
“Për momentin kemi vetëm spitalin Infektiv. Në varësi të situatës do të merren edhe vendime të tjera. Numri i tamponëve nuk vjen si mungesë por sipas rekomandimeve të epidemiologeve” tha Cami.
Drejtori i Spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti u shpreh i gatshëm për të zbatuar vendimin e qeverisë.
“Lufta nuk ka mbaruar akoma, respektoni masat. Ne si drejtori nuk kemi ndryshuar asnjë masë, masat janë njësoj si në kohën e mbylljes, vazhdojmë të ndjekim të njëjtat masa. Sa i takon trajtimit të të prekurve ne kemi kapacitete por kjo varet nga vendimi i qeverisë, nëse qeveria vendos që të prekurit të trajtohen në spitalin rajonal ne do i përgjigjemi.” /abcnews.al/

