Zgjedhja e drejtuesve të Milanit për t’i besuar pankinën Stefano Piolit nuk është pritur mirë nga tifozëria kuqezi. Shumica kanë shpërthyer në kritika, ndërsa ka edhe nga ata që duan ta shohin trajnerin e ri në aksion.
Ivan Gazidis, i cili mban postin e administratorit të deleguar të “Djallit”, i pranon kritikat, por tifozët duhet të durojnë. Gjatë prezantimit të trajnerit të ri, afrikano-jugori thekson sakrificën e madhe të drejtuesve dhe konfirmon ambiciet për të rikthyer Milanin aty ku e meriton.
“E kuptojmë zhgënjimin e tifozëve tanë, por kemi nisur një rrugëtim. Na është dashur të shpëtojmë Milanin nga falimentimi, pra nga rënia në Kategorinë D. Po punojmë me pasion dhe tifozët të jenë të sigurt që duam të rikthehemi në majë”, thekson Ivan Gazidis. /abcnews.al