Skenarët për qeverinë e re gjermane, Merkel mund të qëndrojë në detyrë edhe disa muaj

schedule21:22 - 26 Shtator, 2021

schedule 21:22 - 26 Shtator, 2021

Konservatorët e CDU/CSU-së dhe rivalët e tyre social-demokratë rezultojnë praktikisht të barabartë në zgjedhjet kombëtare të së dielës, sipas anketimeve të zhvilluara gjatë ditës së votimit, duke e lënë kështu të hapur se cila palë do të drejtojë qeverinë e ardhshme, ndërsa Angela Merkel përgatitet të japë dorëheqjen pas 16 vitesh në pushtet.

Blloku kristian-demokrat (CDU/CSU) ka marrë 25% të votave, rezultati i tyre më i dobët në zgjedhjet federale të zhvilluara pas luftës dhe në një nivel me social demokratët e qendrës së majtë (SPD), tregoi anketimi i zhvilluar për kanalin ARD. Një sondazh i Forschungsgruppe Wahlen për kanalin ZDF radhiti SPD-në dhe kandidatin e saj për kancelar Olaf Scholzin me 26% dhe CDU/CSU-në me 24%.

“SPD është rikthyer. Ne jemi aty ku na takon”, tha Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil menjëherë pas anketimeve të para gjatë ditës së votimit. Ai tha se anketimet treguan se SPD-ja dhe kandidati i saj për kancelar Olaf Scholz kanë mandatin për të qeverisur.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak i tha kanalit ARD pas publikimit të sondazhit të tyre se: “Kjo na dhemb”.

Vëmendja tani do të kalojë tek diskutimet joformale – ka të ngjarë me të gjelbrit, të cilët radhiten në 15% dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP), me 11% – të pasuara nga negociata më formale të koalicionit, të cilat mund të zgjasin me muaj, duke e lënë zonjën Merkel të vazhdojë të drejtojë qeverinë.

“Do të varet gjithçka nga arritja e marrëveshjeve midis lojtarëve të shumtë, dhe disa opsione duken të mundshme”, tha Carsten Nickel, konsulente politike. “Bisedimet mund të zgjasin për ca kohë”.

Zonja Merkel ka qenë në pushtet që nga viti 2005, por planifikon të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve, duke e bërë votimin një zhvillim transformues për të përcaktuar kursin e ardhshëm të ekonomisë më të madhe të Evropës.

Zgjedhjet vendosën përballë njëri-tjetrit Armin Laschetin, nga CDU-ja, dhe Olaf Scholzin, ministër i financave në “koalicionin e madh” të Kancelares Merkel, i cili fitoi të tre debatet televizive midis kandidatëve kryesorë.

Pas një fushate zgjedhore të fokusuar në çështjet e brendshme, aleatëve të Berlinit në Evropë dhe më gjerë mund t’u duhet të presin për muaj para se të shohin nëse qeveria e re gjermane është e gatshme të angazhohet në çështjet e jashtme në masën që ata do të donin.

Një tensionim mes Uashingtonit dhe Parisit mbi një marrëveshje që Australia të blejë nëndetëse amerikane, në vend të nëndetëseve franceze, e ka vendosur Gjermaninë në një pozitë të vështirë midis aleatëve, por gjithashtu i jep Berlinit shansin të ndihmojë në shërimin e marrëdhënieve dhe rikonceptimin e qëndrimit të tyre të përbashkët ndaj Kinës.

Për sa i përket politikave ekonomike, Presidenti francez Emmanuel Macron është i etur për të krijuar një politikë të përbashkët fiskale evropiane, të cilën të gjelbrit e mbështesin, por CDU/CSU-ja dhe FDP-ja e refuzojnë. Të gjelbrit gjithashtu duan “një ofensivë masive për zgjerimin e burimeve të rinovueshme”.

Cilido qoftë koalicioni që do të marrë pushtetin, miqtë e Gjermanisë të paktën mund të marrin zemër nga një fushatë zgjedhore në të cilën mbizotëroi centrizmi i moderuar dhe ku nuk arriti të hyjë populizmi që ka zënë vend në vendet e tjera evropiane.

Anketimi i kanalit ARD tregoi se Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë ishte pranë nivelit 11%, nën 12.6% që kishte marrë katër vjet më parë, dhe të gjitha partitë e tjera e kanë përjashtuar një koalicion me të./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!