“La Stampa” e kishte parashikuar prej kohësh dhe Andrea Pirlo e mohoi, por gjërat shkuan ndryshe. Ish-mesfushori pranoi ofertën e Juventusit dhe do të drejtojë skuadrën e dytë, atë U23. Italiani nis tani një etapë të re në botën e futbollit dhe në kampin bardhezi presin të jetë profesor edhe në pankinë.
Madje janë rikthyer sërish zërat për planin e kopjuar të Juventusit, në klube si Barcelona dhe Real Madrid. Pep Guardiola dhe Zinedine Zidane drejtuan ekipet e dyta të këtyre klubeve. Më pas iu besuan ekipet e para dhe sukseset ishin të shumta.
Pirlo do të testohet në këtë aventurë të parë dhe nëse gjithçka shkon mirë, atëherë drejtuesit e Juventusit pritet ta gradojnë dhe t’i japin ekipin e parë. Maurizio Sarri është në garë për të fituar titullin dhe Ligën e Kampioneve, por drejt tij nuk kanë munguar kritikat. /abcnews.al

