“Skena e Berishës u soll nga burri i Gjylametit, deputetja e PS-Bashës: S’kemi lidhje me kompaninë, shihemi në gjyq

schedule11:43 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 11:43 - 14 Dhjetor, 2021

Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti ka reaguar pas akuzave të bëra dje nga kreu i demokratëve Lulzim Basha në lidhje me skenën që u përdor në Kuvendin e 11 Dhjetorit të “Air Albania.”

Sipas asaj që tha Basha, për eventin ishte kontaktuar Kostika Gjylameti, bashkëshorti i deputetes së PS Blerina Gjylameti ndërsa shtoi se kompania në të cilën ai është aksioner solli skenën nga Italia.

Në reagimin e saj, Gjylameti shprehet me ironi se lideri i demokratëve ndodhet në një gjendje të vështirë psikologjike, por shton se “kjo nuk i justifikon halucinacionet.” Ajo thotë se kompania e përmendur nuk ka asnjë lidhje me të apo familjarët e saj.  Deputetja e PS lajmëron po ashtu se për këto deklarata do ta hedhë Lulzim Bashën në gjyq. Gjylameti sqaron edhe deklaratën e bërë me Alibeajn para dy javëve.

BLERINA GJYLAMETI NË FACEBOOK

“E mirëkuptoj gjendjen e vështirë psikologjike në të cilën ndodhesh në këto momente, por kjo nuk i justifikon në asnjë moment halucinacionet, aq më tepër kur je dhe shpifës recidivist. Kompania që thua nuk ka asnjë lidhje me mua, e me familjarët e mi e për këtë bashkë do shihemi në gjyq me shpresën që nuk do i shpëtosh drejtesisë si çdo herë me justifikime qesharake…

Deklarata ime e para dy javëve me z. Alibeaj i referohet dhunimit, uzurpimit dhe thyerjes të çdo norme dhe ligji në fuqi duke keqpërdorur foltoren e parlamentit si edhe thirrjes së përsëritur për rikthimin në shinat e ligjshmërisë, pasi të kishte zgjidhur hallin e madh që ju kishte zënë për të treguar se kush është kryetari…

Sikleti që të ka rënë, nuk do të thotë se duhet të mashtrosh pa teklif e më pak të përfshish në farsën që ke ngritur tërë këto vite për të justifikuar humbjet, familjarët e mi apo Partinë Socialiste… Lider nuk munde të bëhesh, por nëse të ka mbetur edhe pak dinjitet, bëhu burrë dhe përballu me drejtësinë.”

Ndaj akuzave të Bashës u përgjigj dje edhe Komisioni i Rithemelimit të PD. Deklaratat e kryedeomokratit Komisioni i cilësoi shpifje ndërsa thuhet se kostot e organizimit të Kuvendit janë modeste. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!