Skema e pensioneve/ Ekspertja: Të zbatohet ‘Kolona e dytë’, qeveria të bëhet pjesë duke ofruar garanci

schedule14:33 - 20 Nëntor, 2024

schedule 14:33 - 20 Nëntor, 2024

Ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj thotë se në vitet e ardhshme do të rritet numri i individëve që marrin pension të pjesshëm. Në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ajo deklaroi se duhet të zbatohet edhe Kolona e dytë, që përveç pensionit shtetëror, të nxitet dhe ai privat.

Sipas saj, skema e ‘Kolonës së dytë’ shihet me skepticizëm për shkak të riskut që paraqet. Në këtë rast, shtoi ekspertja, qeveria duhet të ofrojë një lloj garancie.

“Në dy dekadat e ardhshme do të jemi numër më të lartë të individëve që dalin në pension të pjesshëm, edhe për faktin, se edhe nëse kanë derdhur kontribute, vlera është e ulët. Nga të dhënat nga raportet e Institutit të Sigurimeve shoqërore, rezulton se vetëm për 5 vitet e fundit, kam marrë analizë 2009-2023, janë rritur skema e pensioneve me 100 mijë pensionistë. Kjo lidhet me periudhën që në ekonomi e quajmë baby boom, lindjet e mëdha pas Luftës së Dytë Botërore. Duke u rritur numri i individëve me pensione të ulëta, ka dy zgjidhje: Ose pensionisti do të përgjigjet vetë për sigurimin e tij të jetës ose do ta mbështesë qeveria. Kam qenë mbështetëse e një kolone të dytë, se skema nuk e mbulon dot. Në asnjë vit financiar, s’ka ndodhur që skema të mbulojë vetveten, kemi pasur 300 mijë pensionistë shtesë në këto vite. Pensionet e ulëta, zgjatja e periudhës së të punësuarit dhe vitet kontributive çojnë te kontributet e vogla. Ndaj rekomandohet një kolonë e dytë. Në këtë rast nëse deklarojmë pensionin privat të detyrueshëm, do të rrisim përqindjen. Kjo pjesë që do të kalojë te pensionet private, do të merren nga skema e pensioneve ose do të ketë përqindje plus. Gjykoj se skepticizmi është për dy arsye, që nëse derdhim kontribute të detyrueshme shtesë, do të jenë shtesë mbi këto kontribute që kemi, ose do të ndahen. Do të kemi më pak para në skemën publike, nëse do të kemi shtesë derdhjesh kontributesh në skemën private, do të thotë se qytetarit do t’i zbriten disa para nga paga. Risku lidhet me fuqizimin e tregut. Tregu financiar në Shqipëri është pak i zhvilluar dhe është një treg që e përmban riskun si pasojë e këtij moszhvillimi. Kur flasim për kolonën e dytë, duhet të jetë edhe qeveria pjesë për të ofruar një lloj garancie.”, tha Nunaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!