“ABC” zbulon detaje të reja nga ekzekutimi mafioz mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri Beniamin Bezhani. Ai u qëllua me tetë plumba brenda makinës së tij tip “Benz”.
27-vjeçari ishte duke u kthyer pasi kishte dërguar të fejuarën në shtëpi dhe në momentin që ka hyrë në rrugicën që e drejton për në fshatin e tij, autorët po e prisnin në pritë duke e ekzekutuar me breshëri. Gazetari i “ABC”-së në Vlorë Enton Nikaj ka siguruar foton e viktimës dhe pamjet nga vendi i ngjarjes ku u vra 27-vjeçari.
Ishte një qytetar që njoftoi policinë rreth orës 21:00 se në Fushë- Dukat, Orikum një automjet kishte ndaluar në rrugë dhe brenda tij kishte një person të pa jetë.
Pasi shkuan në vendin e ngjarjes, efektivët konstatuan se viktima ishte Beniamin Bezhani. I riu ka qenë në burg në Itali për drogë dhe kishte një vit që ishte kthyer. Në Shqipëri nuk ka precedent penalë, por policia është duke hetuar mbi dënimin në Itali.
Autori dyshohet se u largua në këmbë duke humbur gjurmët në errësirë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve./ db/Abcnews.al