Abc News ka rindërtuar skemën e atentatit mafioz të ndodhur një natë më parë te Komuna e Parisit ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Hekuran Billa.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se makina e viktimës ka ardhur nga zona e Selitës, kur është ndeshur me makinën e autorëve në hyrje të Komunës së Parisit të cilët i kanë dalë përballë.
Viktima është qëlluar në momentin kur po parkonte makinën, ku do priste motrën e tij.
Atentatorët kanë qenë të mirëinformuar për rrugën që do të ndiqte Billa, pasi dyshohet se një makinë tjetër ka qenë duke e vëzhguar për disa minuta.
Ajo më pas dyshohet se ka ndihmuar autorët që të largohen nga vendngjarja drejt Pezës, ku policia më pas gjeti të djegur mjetin tip Benz.
LEXO EDHE: Ekzekutimi i Hekuran Billës, autorët e qëlluan me 11 plumba, kamerat fiksojnë makinën shoshë
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur gjithsej 15 gëzhoja, 11 prej të cilave kanë prekur viktimën dhe makinën e tij.
Pista kryesore e ngjarjes është e ajo e hakmarrjes për shkak se në vitin 2006, ai kishte vrarë 22-vjeçarin Prel Marku në Angli ku qëndronte si emigrant.
Billa u ekstradua nga Anglia në Shqipëri për të vuajtur dënimin, për t’u liruar një vit më parë nga burgu i Fushë Krujës.
Billa ishte pronar i disa bizneseve në fushën e tregtisë së automjeteve, në fushën e shërbimit ndaj mjeteve të transportit duke përfshirë gjithë sektorin e mekanikës dhe kishte në pronësi edhe një dyqan këpucësh./abcnews.al