Presidenca franceze ka reaguar për herë të parë pas skandalit “Pegasus”. “Nëse faktet do të konfirmoheshin, do të ishte padyshim shumë serioze” tha “Elysée” në një reagim për mediat pas lajmeve se në listën e të shënjestruarve që mund të jetë spiunuar dyshohet se ka qenë edhe presidenti Emmanuel Macron.
Përpos Macronit në listë janë 14 kryetarë ose ish-kryetarë shtetesh dhe qeverish. Presidenti i Irakut, Afrikës së Jugut, kryeministri i Pakistanit, i Egjiptit, Marokut, etj janë mes zyrtarëve të lartë që dyshohet se janë spiunuar përmes programit të përgjimit.
Zbulimi i skandalit nga media pritet që të sjellë furtunë. “Mbi këto zbulime do të hidhet dritë e plotë” theksoi më tej “Elysée” për mediat. Brukseli i ka cilësuar të “papranueshme”. “Ne kemi filluar të mbledhim informacione” tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Një hetim i kryer nga një konsorcium mediash i quajtur ‘Projekti Pegasus’ zbuloi se softueri i krijuar për qeveritë për të gjurmuar terroristët, u përdor për të ndërhyrë në telefonat që u përkisnin gazetarëve, veprimtarëve për të drejtat e njeriut, drejtuesve të biznesit dhe zyrtarëve qeveritarë. Softueri i quajtur “Pegasus”, u zhvillua nga kompania izraelite NSO Group./ Abcnews.al