Skandali në Onkologjik/ Sokolaj: Prokuroria të marrë kartelat e pacientëve. Ka elementë bashkëpunimi, të ngrihet akuza e korrupsionit

schedule22:11 - 27 Qershor, 2024

schedule 22:11 - 27 Qershor, 2024

Skandali në spitalin Onkologjik, ku pacientëve me tumor nuk u jepej shërbimi, por i orientonin drejt privatit, ka shkaktuar indinjatë. Në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji, ku po diskutohet për këtë temë, avokatja Enida Bozhegu tha se mjekët e përfshirë në këtë skandal duhet të akuzohen për vrasje.

Gazetari Trashëgim Sokolaj thotë se prokuroria duhet të shohë kartelat e pacientëve që kanë vdekur gjatë kohës që ishin në monitorim të tyre. Ai gjithashtu shtoi se prokuroria duhet të ngrejë akuzën e korrupsionit pasi ka elementë bashkëpunimi.

Pjesë nga diskutimi:

Bozhegu: Kur shpresën e fundit ta pret mjeku që është gjithçka, nëse abuzohet në të gjitha format, dhe pasojat kemi të bëjmë me vrasje me dashje. I qëndroj fort kësaj sepse të helmosh ngadalë, të vrasësh duke hequr mjetin që e mban në jetë apo t’i shkurtosh ditët e mundësisë, dhe ta çosh në vdekje të sigurt, këta janë tregtarë të vdekjes. Kemi shkakun dhe pasojën. Shkaku që është mungesa e ilaçit sjell pasojë vdekjen. Subjekti mjeku përgjegjës. Në Itali ka pasur disa raste të infermierëve. Një infermiere që kishte nën kontroll tetë pacientë terminal me kancer. Infermierja nuk injektonte ilaçin e kimios por plazëm dhe si pasojë e kësaj ata vdiqën. Prokuroria e akuzoi për vrasje me dashje, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Sokolaj: Prokuroria s’ka bërë atë që duhet me masat e sigurisë. Këto mund të sigurojnë marjen e provave. Është detyra e prokurorit që në Onkologjik dhe në klinikat private të marrin kartelat e paicentëve, edhe të shohin fatin që ata kanë pasur, për të dokumentuar rastet e pacientëve që kanë vdekur gjatë kohës që ishin nën mbikëqyrjen e tyre. Ka elemente bashkëpunimi mes tyre dhe të kalohet edhe te vepra penale e korrupsionit sepse është skemë që është krijuar për përfitim të padrejtë.