Skandali në kombëtaren serbe, shpërthejnë akuzat se lojtarët udhëtuan në Gjermani me avion kroat

schedule15:56 - 27 Qershor, 2024

schedule 15:56 - 27 Qershor, 2024

Nuk mjaftoi vetëm eliminimi, që u quajt turp. Kombëtarja e Serbisë u largua nga Kampionati Europian me dy pikë dhe si vendi i fundit në grup, ndërsa tani ka shpërthyer një skandal, pasi mediat në Beograd kanë akuzuar Federatën Serbe të Futbollit se ka lejuar një gabim të rëndë, që ekipi përfaqësues të udhëtonte drejt Gjermanisë në një avion kroat.

Këtë akuzë e bën kryeredaktori i televizionit “Informer”, Dragan Vucicevic, miku I ngushtë I presidentit serb, Aleksandër Vucic. Ai bëri një ndërhyrje telefonike në një emision në televizionin e tij.

“Përpara sesa të udhëtonin në Kampionatin Evropian, ata të Federatës i kërkuan presidentit Vucic që të vinte në aeroport, në avion, dhe të përshëndeste lojtarët. Ju lutem, gjeni foton nga ai takim në avion dhe shikoni fytyrën e presidentit. Pyeta veten, pse duket kaq I mërzitur. Nuk qesh, duket si mjaft pesimist. Si është puna? Drejtuesit e Federatës, ata që ishin kompetentët për këtë gjë, e futën presidentin në avionin me flamurin kroat. A e besoni ju këtë? Ne udhëtuam në Kampionatin Europian në një avion me flamur kroat”,- u shpreh Vucicevic.

Ndërkaq, mediat kroate shkruajnë se skandali me avionin vazhdoi edhe pas eliminimit.

“Jutarnji List” i referohet mediave serbe se edhe aeroplani me të cilin kombëtarja serbe udhëtoi nga Gjermania në Beograd kishte simbole kroate.

Sekretari i Federatës Serbe, Jovan Surbatovic, deklaroi se u arrit një akord me një kompani gjermane për një avion privat meqë linja shtetërore e Serbisë nuk kishte në dispozicion.

Surbatovic pohoi se në avion fjalët ishin në gjermanisht, por kishte simbole kroate, teksa për t’i vënë vulën kaosit mendoi vetë presidenti Vucic, i cili shprehu gjithë pakënaqësinë për paraqitjen e kombëtares, teksa theksoi se shteti shpenzoi shumë, por fitoi pak dhe tashmë, “numri 1” i shtetit pret ndryshime të mëdha, ndoshta në Federatë, meqë trajneri Stojkovic dha dorëheqjen. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!