Skandali me tenderin 400 mijë dollarë të FSHZH, PD: “Skema” me djalin e Agollit, SPAK t’i shkojë deri në fund

schedule16:09 - 2 Shkurt, 2022

schedule 16:09 - 2 Shkurt, 2022

SPAK nisi verifikimet pas denoncimit të skandalit me tenderin e FSHZH të drejtuar nga Dritan Agolli, i cili i dha 400 mijë dollarë kuzhinerit të restorantit të djalit të tij, Alfio Rrotanit. Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar PD, e cila përmes deputetit Ervin Salianji i ka bërë thirrje SPAK që t’i shkojë deri në fund çështjes.

Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.

Deklaratë e PD, deputeti Ervin Salianji

Pak ditë më parë denoncuam se si Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka dhënë 500 milionë lekë për përgatitjen e një menuje trandicionale. Bëhet fjalë për një tender për hartimin e menusë së projektit të “100 fshatrave” dhe realizimin e një dokumentari. Për këtë tender janë paguar plot 500 milion lekë dhe i përzgjedhur nga FSHZH është kuzhinieri Alfio Rrotani. Përvec tenderit të ekzagjeruar, skandali thellohet edhe më shumë nga përfshirja e Rrotanit, i cili ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar”, që është në pronësi të Flladi Agollit, djali i vetë drejtorit FSHZH Dritan Agolli që ka bërë tenderin. Sot kjo cështje është marrë nën hetim nga SPAK dhe qytetarët shqiptatrë presin transparencë për kostot e dyshimita të tenderit, për procedurën e ndijekur, e cila ka favorizuar kompaninë me ofertën më të lartë, dhe sidomos për lidhjet që drejtuesi i këtij institucionit ka me fituesin e tenderit. Pasi, përtej justifikimeve të vonuara të drejtuesit të këtij institucioni, kjo listë gatimesh prej 500 milionë lekësh, për qytetarët shqiptarë përfaqëson një shuplakë përballë një relaiteti ekonomik të vështirë, e për një pjesë të madhe të papërballueshëm, deri në kushtet e mbijetesës.

Sepse ndërkohë që zyrtarë të korruptuar shpërdorojnë taksat e qytetarëve më të varfër në Europë, me me skema të tilla si kjo menu 500 milionshe, njerëzit e ndershëm të këtij vendi  vujanë varfërinë e krijuar nga korrupsioni i kudondodhur apo braktisjen nga një qeveri që prioritet ka klientët dhe jo qytetarët, sic ishte rasti dramatik i zonjës që humbi jetën pak ditë më parë në qarkun e Fierit, e cila kishte 1 vit pa energji elektrike.

Kjo ndarje gjithmonë e më e thellë midis shumicës dërrmuese të njerëzve që jetojnë ndershmërisht dhe një pakice makute, përherë e më të vogël, që pasurohet duke shpërdoruar taksat e shqiptarëve, është ilustrimi më i qartë se si korrupsioni, që shkon nga një listë gatimesh me vlerë prej 500 milionë lekësh, deri të megaskandali i inceneratorëve, është kthyer në armikun më të egër të mirëqenies së shqiptarëve. Ndaj ne përshëndesim vendimin e SPAK për të nisur verifikimet për këtë tender tender skandaloz dhe i inkurajojmë t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje. Lufta ndaj korrupsionit është një prioritet kombëtar, si e tillë duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë që kanë për detyrë të mbrojnë mirëqenien e qytetarëve përballë një pushtetit arbitrar dhe klientelist që vepron në mëyrë të paligjshme. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!