Spitali “Shefqet Ndroqi” ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të publikuar mbrëmë në emisionin “Stop”, ku një sanitare mori 800 mijë lekë nga një vajzë që kishte të ëmën sëmurë me qëllim që t’i shërbente.
Pavarësisht kësaj, gruaja ndërroi jetë dhe familjarët vendosën që të denoncojnë rastin korruptiv.
Sipas denoncimit, sanitarja Tire Alldërvishi i kishte zhvatur 30-vjeçares lekët, duke i premtuar se do i shpëtonte të ëmën nga koronavirusi, por në të vërtetë nuk i kishte dhënë as ushqim.
Në reagimin e tij spitali “Shefqet Ndroqi” dënoi ashpër veprimin në fjalë duke kërkuar vijimin e hetimeve deri në fund.
Lexo edhe: Mashtroi vajzën e pacientes që ndërroi jetë, policia arreston sanitaren
“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’.
Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi’”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”. /abcnews.al