Nga Fieri, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka paralajmëruar se në javët e ardhshme do të ketë një ashpërsim në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, nisur nga publikimi i databazave me listat e pagave dhe targave.
Balla u shpreh se është punuar prej muajsh për këtë ndryshim por ky është momenti i duhur për të ashpërsuar ligjin për këdo që cenon raportin punëdhënës-punëmarrës duke nxitur destabilitet.
“Unë nuk dua të humb shumë minuta. Dua të them që është një krim i cili duhet ndëshkuar ashpër., Kam thënë dje dhe dua ta nënvizoj. Është gati, është punuar prej disa muajsh për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Besoj se është momenti i duhur për të ashpërsuar ligjin ndaj kujtdo që vë në rrezik raportin punëdhënës punëmarrës.
Përafrimi i legjislancionit shqiptar me standardet e BE është domosdoshmëri. Ishte një përpjekje për të destabilizuar marrëdhëniet. Ashtu si bëri kryeministri do doja të shprehja ndjesën kujtdo që publikimi i këtyre të dhënave u ka krijuar problematika. Këto janë ngjarje që ndodhin në shumë vende. Kanë ndodhur në SHBA”, deklaroi Balla.
Ai tha se në vitin e ardhshëm do të vazhdojë të rritet mbështetja financiare për qendra e kujdesit për të moshuarit dhe kategoritë e tjera të riskut.
“Ishim bashkë me kryetarin e bashkisë Subashi në azilin e Fierit ku akomodohen çdo ditë të vitit 48 të moshuar, familjarët e të cilëve nuk kanë mundësi t’i mbajmë. Ne kemi thënë që angazhimi ynë mbetet. Festa e ndërrimit të viteve është festë familjare për ta. Do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen financiare për qendra të këtij lloji”, tha Balla. m.v/Abcnews.al

