Një skandal me pronat në qytetin e Lezhës çoi në pranga shumë persona, mes tyre edhe personazhe të botës së sportit. Mes tyre ishin edhe Gjok Ndoka e Artan Djala, respektivisht presidentë të klubeve të futbollit Besëlidhja dhe Shënkolli.
I pari është dënuar me 4 vite burg me akuzën “Shpërdorim Detyre”, ndërkohë që ia ka hedhur në lidhje me akuzat për falsifikim dokumentacioni. Edhe Djala është dënuar me të njëjtën akuzë, me 3 vite burg dhe po aq vite ai nuk mund të ushtrojë funksione publike.
Renato Malotaj, qendërmbrojtësi i skuadrës së Laçit, është personazhi tjetër i botës së sportit që akuzohej për falsifikim dokumentacioni dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka shpallur të pafajshëm.
Në mars të vitit 2018, 13 persona u arrestuan dhe 11 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata akuzoheshin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
VENDIMET E GJYKATËS – Deklarimin fajtor të pandehurit Artan Djala për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal e në bazë të kësaj dispozite të dënohet me 3 vite burgim, si dhe në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 3 vitesh;
– Deklarimin e pafajshëm të pandehurit Gjok Ndoka për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 186/3 të Kodit Penal. Deklarimin fajtor të pandehurit Gjok Ndoka për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal e në bazë të kësaj dispozite të dënohet me 4 vite burgim, si dhe në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 4 vitesh;
– Deklarimin e pafajshëm të pandehurit Renato Malotaj për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 186/2 të Kodit Penal, duke urdhëruar heqjen e masës se sigurimit personal në ngarkim te tij. /abcnews.al