Publikimi i pagave të shqiptarëve dhe pasojat që sjell, kanë qenë pjesë e diskutimeve mbrëmjen e sotme në emisionin “Bardh a Zi” në Abc. Akuzatori Rudin Sataj i shqetësuar tha se të dhënat e publikuara do të përdoren nga kriminelët.
“Organizatat terroriste, bandat i kanë marrë të dhënat “free” dhe çfarë ndodh tani do ndodhë fenomeni i rrëmbimit. Sa lekë ka Rudi? Qenka bos i madh, dil në rrugë merr… apo do na mbrojë shteti? Kanë ngrirë televizor, vetëm të njëjtat fytyra, po ikni more se latë nam. Na shkoi jeta duke u votuar ju dhe ju na e shpërbleni me nxjerrjen e të dhënave tona personale”, tha ai i revoltuar.
Lidhur me skandalin e të pagave foli edhe deputeti socialist Xhemal Qefalia.
“Gjëja është fakt dhe se mohojmë, por që të ketë interferime për ne si shtet anëtar i NATO-s s’bën sens”, tha Qefalia.
Edhe profesoreshë Zana Guxholli tha se “as unë nuk e besoj se kjo e cenon lidhjen me NATO-n, po, është cenuar privatësia jonë. Institucionet tona janë përgjegjëse”.
“Mos ndoshta këto të dhëna dalin se ikja nga Shqipëria po bëhet më e madhe? Se nëse unë shoh njerëz që janë me të ardhura më të mira se unë, do ikin?”, e ngriti si pyetje drejtuesja e emisionit Ornela Gaçe.
Prokuroria ka nisur hetimet mbi publikimin e të dhënave personale dhe pagave të mbi 690 mijë punonjësve përmes rrjeteve sociale nga burime ende të paidentifikuara. /abcnews.al