Skandali i korrupsionit në Bruksel, policia belge kontroll në zyrat e Parlamentit Europian

schedule07:29 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 07:29 - 13 Dhjetor, 2022

Hetuesit belgë kontrolluan zyrat në Parlamentin Europian në Bruksel, në një hetim për ryshfet e supozuara nga Katari, mikpritës i Kupës së Botës. Ishte kontrolli i 20-të i kryer në Belgjikë që nga e premtja dhe presidentja e parlamentit, Roberta Metsola, paralajmëroi eurodeputetët se “demokracia është nën sulm”.

Policia belge ka arrestuar katër persona, mes tyre edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian Eva Kaili, një eurodeputete greke. Katari ka mohuar çdo keqbërje. Eurodeputetët do të debatojnë për skandalin të martën.

Prokurorët belgë thanë se rreth 600,000 euro u gjetën në shtëpinë e një të dyshuari, 150,000 euro në banesën e një eurodeputeti dhe disa qindra mijëra euro në një valixhe në një dhomë hoteli në Bruksel. Janë marrë edhe kompjuterë dhe celularë.

Që nga e premtja, burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin. Katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”, thanë prokurorët në një deklaratë të dielën.

Kaili, një eurodeputete për tetë vjet, u pezullua nga detyra e saj si një nga 14 nënkryetaret nga presidentja e parlamentit Metsola. Ajo është pezulluar gjithashtu nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në parlament dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë greke Pasok.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!