Skandali i inceneratorëve, Shkodra: Nëse akuzat vërtetohen, kjo do të ishte goditje për ekonominë

schedule19:39 - 5 Korrik, 2022

schedule 19:39 - 5 Korrik, 2022

Eksperti i ekonomisë, Arben Shkodra, në një lidhje me “Skype” me “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, komentoi denoncimet e fundit të bëra publike nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, që lidhen me skandalin e inceneratorëve.

Shkodra tha se më parë duhet të presim hetimet, por nëse këto akuza vërtetohen, kjo do të thotë se Shqipëria ka nevojë urgjente për ndryshim të sistemit fiskal.

Sipas tij në 30 vite në “xhepa” të sistemit është krijuar mundësia që persona të ndryshëm të mund të bëjnë edhe evazion fiskal.

Pjesë nga diskutimi:

Xhokaxhi: Me qenë se kemi 3 ditë që flasim për inceneratorët, ku po dalin fakte dhe shifra por edhe dëshmi, shitblerje kompanish fiktive, çfarë do të thotë kjo?

Shkodra: Padyshim që kjo është një situatë jo e këndshme për ekonominë tonë, por duhet të presim se çfarë do të nxjerrë hetimi. Vetëm atëherë do të shohim se si është e gjithë situata, dhe të bëjmë një analizë pse ndodhin këto fenomene. Në ekonominë tonë ne kemi 30 vite të kemi një sistem ekonomik të komplikuar, kemi bërë ndryshime në sistemin fiskal, ku mund të gjejmë edhe xhepa që spekulantët kanë bërë lëvizje të paligjshme.

Xhokaxhi: Me sistemin që kemi aktualisht, si është e mundur të qarkullojnë fatura të plota të shitblerjeve, dhe nuk bie në sy të askujt?

Shkodra: Ka një paradoks të madh, sa më shumë lehtësojmë procedurat e të bërit biznes, aq më shumë i hap rrugë paligjshmërive. Aktualisht ne po bëjmë dixhitalizimin, duke paraqitur në sistem vetëm kopje, ndërsa dikur duhet të paraqisje në sistem dokumentet origjinale. Sa më shumë dixhitalizojmë, aq më shumë harrojmë se disa procese nuk janë aq të thjeshta për tu implementuar. Aq më tepër kur kemi dy të moshuar që jetojnë në azile dhe u merret firma, këtu pyetet çfarë ka shkuar keq, unë them që ka nevojë për një verifikim të madh.

Xhokaxhi: Ka ndonjë domethënie që e gjitha kjo lidhet me inceneratorin e Tiranës?

Shkodra: Kjo ka të bëjë me një lëvizje politike e cila është LSI që e ka kapur këtë çështje prej brirësh dhe do ta përdorin si kalë beteje. Por ne po kuptojmë që PPT, koncensionet kanë nevojë për tu qetësuar. Më kujtohet një iniciativë ku thuhej që PPT-të të kalojnë në parlament. Ne duhet të rikthehemi me seriozitet dhe një analizë të hollë gjithë kësaj situate. Por duhet të presim hetimet.

Xhokaxhi: A është ky rasti për të ngritur në alert për të verifikime për të gjithë sistemin?

Shkodra: Padyshim! Ne në fakt kemi prekur dhe një temë që është për amnsitinë fiskale, e cila është anashkaluar. Deri më sot kemi 140 mijë nipte pasive, ku spekulantët mund të gjejnë shtigje duke u futur në procedura ligjore dhe duke krijuar këto lloj fenomenesh. Nuk mund të kemi më shumë nipte pasive se aktive. Këto nipte pasive mund të hapin dhe numra llogari në shtete të ndryshme, dhe nuk i ndalon ligji. Ka mundësi që këto gangrena t’i eliminojmë, sa më shumë eleminojmë gangrenat do të kemi nën kontroll ekonominë.

Xhokaxhi: Kjo do të thotë që QKB duhet të jetë e para që kalon në filtër?

Shkodra: QKB ka kryer në mënyrë perfektë punën deri tani. Nga ana tjetër sheh ligjshmërinë e subjektit, por nuk mund të bëjë policin. Por rikthimi i noterizimit të dokumentave shumë të rëndësishme, siç janë shitjet apo blerjet e kompanisë është i vlefshëm.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!