Princi William dhe Princesha Catherine shprehën shqetësim për viktimat e Jeffrey Epstein në një deklaratë, masa e fundit nga monarkia britanike për t’u distancuar nga zbulimet rreth marrëdhënies së ish-Princit Andrew me shkelësin e dënuar seksual.
Familja mbretërore më e njohur e Britanisë thotë se u trondit nga përmbajtja e më shumë se 3 milion faqeve dokumente të publikuara më parë këtë muaj nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
“Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha e Uellsit janë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme”, tha pallati në një deklaratë.
“Mendimet e tyre mbeten të përqendruara te viktimat”, shtoi ai.
Deklarata e lëshuar përpara udhëtimit tre-ditor të William në Arabinë Saudite, është pjesë e përgjigjes së monarkisë ndaj krizës në rritje që rrethon ish-princin, të cilit iu hoqën titujt mbretërorë në tetor pas zbulimeve të mëparshme rreth marrëdhënies së tij me Epstein.
Vëllai 65-vjeçar i Mbretit Charles III tani njihet thjesht si Andrew Mountbatten-Windsor.
Mbreti javën e kaluar e detyroi Mountbatten-Windsor të largohej nga shtëpia e tij e hershme në Royal Lodge pranë Kështjellës Windsor, duke përshpejtuar një veprim që u njoftua për herë të parë në tetor, por që nuk pritej të përfundonte deri më vonë këtë vit.
Mountbatten-Windsor tani jeton në pronën e mbretit në Sandringham në Anglinë lindore.
Ai do të jetojë përkohësisht në Wood Farm Cottage ndërsa shtëpia e tij e përhershme në pronë do t’i nënshtrohet riparimeve.
Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në marrëdhënien e tij me Epsteinin.


