Skandal në Roland Garros: Akuza për baste të paligjshme, arrestohet tenistja ruse

schedule11:59 - 4 Qershor, 2021

schedule 11:59 - 4 Qershor, 2021

Skandal bastesh në Roland Garros. Tenistja ruse, Yana Sizikova është arrestuar mbrëmjen e kaluar nga policia franceze. 26-vjeçarja akuzohet për vendosje bastesh. Le Parisien raporton se ajo akuzohet për fiksim dhe trukim ndeshjesh.

Sizikova, e cila renditet në vendin 101, ishte në ekip me Ekaterina Alexandrova dhe humbi (6-1 6-1) duelin ndaj dyshes Ajla Tomljanovic dhe Storm Sanders, duke u eliminuar që në raundin e parë. Sapo përfundoi ndeshja dhe kreu masazhet, policia arrestoi Sizikovën.

Situatë që shkaktoi probleme të mëdha, pasi forcat e sigurisë së Roland Garros tentuan të pengonin policinë. Një hetim në lidhje me bastet e paligjshme në sportin e tenisit filloi tetorin e kaluar nga Prokuroria e Parisit.

Policia gjithashtu kontrolloi dhomën e hotelit të Sizikovas. Kjo e fundit akuzohet edhe për një ndeshje të vitit të kaluar, që korrespondoi me raundin e parë të garës dyshe në kompeticionin e famshëm të tenisit. Yana ishte në çift me amerikanen Madison Brengle.

Përballë ishin rumunet Andreea Mitu dhe Patricia Maria. Dy tenistet rumune ishte favorite dhe ia dolën ta fitojnë ndeshjen (7-6, 6-4). Në setin e dytë ndodhi diçka e çuditshme. Shumë baste ishin vendosur për triumfin e dyshes rumune.

Ashtu ndodhi dhe Sizikova ndihmoi kundërshtarët për të fituar, duke lumturuar edhe ata që kishin vendosur baste. Të gjithë topat e shërbimit të humbur dhe dy faulle të dyshimta u shkaktuan nga 26-vjeçarja, e cila tani do të përballet me akuzat për mashtrim sportiv dhe korrupsion për vendosjen e basteve të paligjshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!