Skandal në Francë, ministrja akuzohet se përdhunoi një grua kur punonte si gjinekologe

schedule16:54 - 22 Qershor, 2022

schedule 16:54 - 22 Qershor, 2022

Departamenti francez i Drejtësisë ka nisur një hetim pas depozitimit të dy akuzave për përdhunim ndaj Chrysoula Zacharopoulou, anëtare e qeverisë franceze, njoftoi sot Prokuroria e Parisit.

Chrysoula Zacharopoulou, me origjinë greke, është Nënsekretare e Shtetit për Zhvillimin, Partneritetet Franceze dhe Ndërkombëtare.

Sipas revistës Marianne, që zbuloi këtë çështje, veprat për të cilat ajo akuzohet, janë kryer në periudhën kur ajo ushtronte profesionin si gjinekologe.

Sipas informacioneve të cituara nga revista franceze “Marianne”, ndaj 46-vjeçares Chrysoula Zacharopoulou janë ngritur dy akuza për përdhunim.

Ankesa e parë është bërë më 25 maj. Zyra e prokurorit të Parisit i tha revistës Marianne se një hetim kishte nisur dy ditë më vonë, më 27 maj.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga Prokuroria e Parisit, padia e dytë është ngritur më 16 qershor. Vlen të theksohet se të dyja ngjarjet duket se kanë ndodhur në zyrën e mjekes në vitin 2016 ndaj një gruaje.

Chrysoula Zacharopoulou iu bashkua qeverisë së kryeministres Elizabeth Bourne më 20 maj. Ajo është deputete e Parlamentit Evropian që nga 2 korriku 2019.

Si gjinekologe, ajo ka punuar shumë për të njohur endometriozën, ndërsa i dorëzoi presidentit francez më 11 janar 2022 një raport të posaçëm.

Chrysoula Zacharopoulou, gjinekologe e dalluar nga Korinti, ka studiuar në Itali për shumë vite dhe ka punuar në Spitalin Universitar të Parisit.

“Kam lindur në Greqi, më pas kam jetuar në Itali për 14 vjet dhe prej 12 vitesh jetoj dhe punoj në Francë, jam e martuar me një francez. Unë jam një fëmijë i Europës”, ​​është shprehur ajo në një intervistë në vitin 2019. /abcnews.al