Skadon “afati” i kryeministrit. Emërimet, përplasje mes policisë dhe ministrisë?

schedule20:52 - 15 Dhjetor, 2022

schedule 20:52 - 15 Dhjetor, 2022

“Si është e mundur që Policia e Shtetit akoma sot nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Drejtori i policisë së shtetit duhet të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë dhe nëse i kërkuari është vrarë, ti thuhet publikut se është vrarë dhe nëse jo, të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë“, u shpreh Rama disa javë më parë.

Kanë kaluar 100 ditë që nga kjo deklaratë e kryeministrit, kur emëroi në krye të policisë, oficerin e vjetër të karrierës, Muhamet Rrumbullaku. Por pas 100 ditëve, misteri i zhdukjes së Ervis Martinajt nuk është zgjidhur. Përkundrazi misteret janë shtuar, përfshirë dhe fatin profesional të disa drejtuesve të policisë.

Në përfundim të afatit 100 ditor që kryeministri Edi Rama i la Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të analizuar punën e tij, Muhamet Rrumbullaku u duk se do të firmoste një sërë ndryshimesh brenda radhëve të uniformave blu. Por dy ditë pasi mediat njoftuan ndryshimet, drejtoria e policisë nuk është ende në gjendje, as t’i mohojë, as t’i pohojë ato.

Rasti me i bujshëm është ai i Drejtorit të Policisë së qarkut të Tiranës. Lorenc Panganika u vu në këtë detyrë nga Gledis Nano, drejtori më jetëshkurtër në historinë e Policisë së Shtetit. Të marten, burime të besuara pranë këtij institucioni konfirmuan për ABC News se ai do të zëvendësohej nga një mik dhe koleg i vjetër i Muhamet Rrumbullakut, Tonin Vocaj.

Por në një dalje për mediat të enjten paradite, teksa njoftoi zbardhjen e një vrasje të ndodhur 5 vite më parë, interesimit të gazetarëve për transferimin e tij, Panganika ju përgjigj me një fjali.

Arsyet përse këto shkarkime dhe emërime nuk po bëhen publike nuk dihen, por ajo që dihet është se ka mosmarrëveshje dhe këto kanë shkuar deri në zyrën e kryeministrit. Burimet thonë se kryeministri ka kërkuar që institucionet t’i përmbahen ligjit dhe vendimin ta marrë vetë Policia e Shtetit.

Fakti që Policia e Shtetit nuk po i merr këto vendime ka vetëm një shpjegim, përplasjen me Ministrinë e Brendshme.

Kupola e re drejtuese e Policisë së Shtetit, në fakt tani kontrollohet nga policë të vjetër dhe me karrierë. Ata zëvendësuan Gledis Nanon dhe disa emra të tjerë, të cilët ishin nën influencën e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme. Por rëndimi i situatës kriminale, rritja e numrit të krimeve të pazbardhura dhe më pas zhurma e madhe rreth zhdukjes së Ervis Martinajt, vunë policinë dhe qeverinë përballë një presioni në rritje të opinionit publik. Derisa kryeministri 100 ditë më parë ja ktheu policinë profesionistëve të vjetër dhe kërkoi heqjen e influencës politike mbi uniformat blu. Një betejë që mesa duket, vazhdon akoma. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!