Skadimi i mjeteve të identifikimit, radhë të gjata qytetarësh

schedule15:27 - 17 Janar, 2019

schedule 15:27 - 17 Janar, 2019

Sfida e qytetarëve për t’u pajisur me karta identiteti vazhdon edhe pse është rritur numri i pikave të aplikimit. Qytetarët thonë se detyrohen të zënë rradhë që në orët e para të mëngjesit. Shqetësimin më të madh e kanë pensionistët. Shohim përse.

Zyrat e aplikimit në njësitë 1 dhe 2 në kryeqytet ishin jashtë funksionit deri këtë të enjte, çka menjëherë pas hapjes krijoi fluks të madh. Qytetarët shprehen se kanë ardhur që në orët e para të mëngjesit për të zënë radhën dhe thonë se vendi ku ata qëndrojnë në radhë është jashtë çdo standardi.

 “Po kjo është e hapur për herë të parë sot pa presionit që bëri media. Shiko sa të sëmurë dhe të moshuar ka këtu që presin në radhë. Shikoni çfarë kushtesh ka shikojeni godinën”, tha një qytetar.

Ndërsa një e moshuar u shpreh se: “Po pres inshalla tani mbaroj punë”.

Ata të cilët janë më të shumtë në radhë i përkasin moshës së tretë të cilët thonë se nëse nuk aplikojnë për mjetin e identifikimit mund të hasin probleme edhe me tërheqjen e pensionit apo shërbime të tjera.

“Po kështu na thanë. Karta ime skadon tani në Shkurt dhe u detyrova erdha të rrijë në rradhë”, tha një e moshuar.

E njëjta panoramë është edhe te njësia 5, ku qytetarët vijnë që herët në mëngjes për të zënë radhën për të bërë aplikuar për kartën e identitetit për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që duan të aplikojnë për mjetet e identifikimit, pritet që qendrat e aplikimit të jenë të hapura edhe gjatë fundjavës./abcnews.al