S’ka “PO” për negociatat, BE: Ende asnjë datë për konferencën me Shqipërinë

schedule19:13 - 11 Maj, 2021

schedule 19:13 - 11 Maj, 2021

Vendet e Bashkimit Europian nuk e kanë një “PO” bindëse për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Pas takimit të zhvilluar në Bruksel mes 27 ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE, Ana Paula Zacarias, sekretare e shtetit të Portugalisë, shtet që mban edhe presidencën e radhës së BE-së tha për gazetaren e ABC, Erisa Zykaj se po objektivi është që të ketë një dritë jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda presidencës portugeze. Një e dhënë e rëndësishme për vendet e BE është zhvillimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor në Shqipëri, ku tashmë opozita ka deklaruar se nuk do t’i njoh zgjedhjet dhe ka nisur një valë denoncimesh. 

27 ministrat për çështjet europiane të Bashkimit Europian kanë diskutuar në Bruksel midis të tjerash edhe për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe gjetjen e një zgjidhjeje për të hapur negociatat zyrtare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para përfundimit të presidencës portugeze në fund të qershorit të këtij viti.

Gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp, në përgjigjen e presidencës portugeze ndaj pyetjeve së drejtuar nga ABC, del në pah se aktualisht nuk ka një konsensus midis shteteve anëtare për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por presidenca portugeze por përpiqet sërish për një zgjidhje të përbashkët për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ana Paula Zacarias, sekretare e shtetit të Portugalisë u shpreh se “Ne diskutuam sot lidhur me procesin e anëtarësimit të Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne sërish po tentojmë të gjejmë një zgjidhje, një mundësi të përbashkët për të dyja vendet për të nisur procesin e anëtarësimit (të negociatave të anëtarësimit)”.

Pyetja e dytë e ABC drejtuar presidencës portugeze lidhet me shkeljet dhe parregullsitë e renditura në raportin paraprak të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri dhe nëse me këtë peformancë presidenca portugeze mund të bindë të gjitha shtetet anëtare për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Sekretarja e shtetit të Portugalisë, Ana Paula Zacarias është shprehur se të gjitha çështjet që lidhen me shtetin ligjor do të merren patjetër në konsideratë kur të analizohet i gjithë procesi.

Ana Paula Zacarias, sekretare e shtetit të Portugalisë “Cfarë mund të them deri tani lidhur me këtë? Mund të them që shteti ligjor është në qendër të procesit të anëtarësimit të Bashkimit Europian dhe angazhimin më të ngushtë në procesin e përafrimit me Bashkimin Europian. Shteti ligjor është në qendër të metodologjisë.

Ky është një element thelbësor dhe ne sigurisht do të marrim këtë në konsideratë kur të analizojmë të gjithë procesin. Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe debatin për tê parë nëse mund të arrijmë të kemi konferencë e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut. Por më duhet të nënvizoj këtë mesazh. Shteti ligjor është në zemër të metodologjisë së re së procesit të anëtarësimit ne BE”.

Maros Sefvovioc, zv/president i KE-së deklaroi se “Nga ana e Komisionit Europian, ne po punojmë shumë fort që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mund të mbajnë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur. Nisur nga eksperienca e shkuar e zgjerimeve, ne e kemi përshtatur procesin e anëtarësimit dhe keni venë në qendër shtetin ligjor dhe të gjitha çështjet e tjera të ndjeshme, të cilat tashmë duhet të vendosen në kuadrin e negociatave.

Tashmë, ju e dini, që ne nuk përmbyllim një kapitull, para se të gjitha kërkesat të jenë plotësuar nga shtetet e ardhshme anëtare. Të gjitha këto do të jenë parametrat për negociatat e ardhshme të anëtarësimit. Gjithsesi, ne duhet t’ju dërgojmë një sinjal pozitiv rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mesazhi më i mirë do tê ishte fillimi negociatave zyrtare me të dyja vendet dhe shpresojmë që kjo të ndodhë gjatë presidencës portugeze”.

Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian është shprehur një ditë më parë se ndarja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pêr hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit nuk është opsion./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!