“S’jam kafshë kopshti zoologjik, do doja të përsërisja Maradonën”

schedule11:03 - 19 Tetor, 2019

schedule 11:03 - 19 Tetor, 2019

Zlatan Ibrahimovic është unik. Në dhjetor del lojtar i lirë dhe ka shumë interes për të ardhmen e tij. “Gazetta dello Sport” e ka intervistuar dhe një rikthim në Itali është opsion për të. Është folur për Interin, por edhe për Napolin. Një ftesë ai e ka marrë edhe nga Bolonja dhe suedezi e zbulon gjatë intervistës.

Gjithsesi ai thekson se nuk kërkon të shkojë diku si imazh dhe për të mbushur stadiumet. “Italia është shtëpia ime e dytë. Do i dëgjoj të gjitha ofertat, por dua të luftoj për maksimumin. Nëse kthehem, dua të garoj për titullin. Nuk dua që të më besojnë vetëm pse jam Ibrahimovic. Nuk jam një kafshë kopshti zoologjik, që shkojnë njerëzit për ta parë. Unë ende mund të bëj diferencën”, shprehet Ibra.

Më pas zbulon edhe prapaskenën me Bolonjën:  “Mihajlovic është miku im dhe nëse e zgjedh Bolonjën e bëj vetëm prej tij. Kemi folur dhe e dini çfarë më tha?! ‘Zlatan, këtu të gjithë do të vraponin për ty’. E falënderoj, por e vështirë të ndodhë diçka e tillë. Nëse ndryshoj mendim, atëherë do e telefonoj menjëherë. Në Serie A, edhe tani do të mund të shënoj rreth 20 gola”.

Napoli është një opsion real. Menaxheri i Zlatan, Mino Riola, ka qenë para pak ditësh në qytetin italian dhe ka biseduar për çështje të ndryshme. Aty ai ka edhe lojtarë të tjerë në menaxhim dhe raporti me presidentin Aurelio De Laurentiis është i mirë. Ndoshta mund edhe të flasin në të ardhmen edhe për Ibrahimovic. Suedezi flet për këtë opsion dhe tregon se do donte të bënte ato që bëri Maradona te Napoli.

“Më ka pëlqyer dokumentari i fundit që i kushtohej Maradonës. Askush nuk është si ai. Duke parë dashurinë e atij qyteti, do më bënte të dëshiroja të provoja një eksperiencë në Napoli. Do ishte fantastike të përsërisja atë që bëri Diego. Nuk po them se do të shkoj atje, vendimi përfundimtar do të varet nga shumë gjëra. Me mua San Paolo do të ishte plot çdo fundjavë. Pastaj aty është edhe Ancelotti, një trajner i shkëlqyer”, shprehet Ibra në mbyllje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!