Situatë kritike në Australi, autoritetet apel banorëve të largohen nga shtëpitë

schedule12:38 - 10 Janar, 2020

schedule 12:38 - 10 Janar, 2020

Temperaturat e larta dhe erërat e forta përkeqësojnë situatën e zjarreve në Australi e cila është kritike prej muajsh tashmë. Vetëm në Uellsin e ri të Jugut, nga 130 vatra zjarri të paktën 50 nuk janë nën kotroll. Shifra të rëndësishme duke marrë në konsideratë se zjarret e muajve të fundit kanë shkrumbuar më shumë se 10.3 milion hektarë terren.

Që nga muaji shtator numri i viktimave është 27 ndërsa janë mijëra shtëpitë e shkatërruara. Kësaj i shtohet dhe një valë i nxehti shqetësuese, pasi reshjet e ditëve të fundit pritet t’i lënë vendin temperaturave që do të shënojnë më shumë se 40 gradë. Kjo sidomos në zonat ku autoritetet tashmë u kanë kërkuar banorëve të zonave në rrezik që të evakuohen.

Kryeministri i Australisë Skot Morison u shpreh se vendi është ende shumë larg fundit të kësaj krize dhe këtij shkatërrimi, duke shtuar se dy anije do të qëndrojnë në gadishmëri për të evakuar qytetarët nëse do të jetë e domosdoshme.

Kryeministri i Viktorias, Daniel Andrjus u shpreh se në lindje të Gipslend ka zjarre shumë të mëdha. Ai u bëri apel banorëve që të largohen nga zonat e rrezikuara. Në ishullin Kangur, në jug të Australisë, qyteti i Kingskot ka mbetur i izoluar nga zjarret. Rrugët jashtë qendrës urbane janë mbyllur dhe disa banorë kanë kaluar natën pranë ujit. Të paktën 25 mijë koala kanë mbetur të vrara mes flakëve që kanë shkatërruar ishullin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!