Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë përplasur me banorë serbë të Komunës së Shterpcës, të cilët u përpoqën të ndalonin ekskavatorin për ndërtimin e një mini-hidrocentrali.
Mediat serbe, të cilat raportojnë se rreth 20 persona kanë mbetur të lënduar, shkruajnë se kjo protestë po bëhet për të mbrojtur malet e Sharrit, nga punimet që vazhdojnë prej dy muajsh.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila thekson se ndaj banorëve serbë është përdorur vetëm spraj dhe jo dhunë, siç po raportojnë mediat serbe.
Në njoftimin e policisë së Kosovës thuhet se banorët nuk i janë bindur urdhrit për të mos penguar punimet. Për këtë arsye policia ka reaguar dhe banorët janë shpërndarë duke lënë rrugën e lirë.
Policia njofton gjithashtu se në bashkëpunim me zyrtarët komunalë dhe përfaqësuesit e protestuesve është caktuar një takim i përbashkët ditët në vijim lidhur me kërkesat e tyre./ABC News Albania 24/7