Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, këtë të martë ka konfimruar se të enjten do të zhvillohet seanca ku pritet që të votohet për besimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Iniciativa për votëbesimin është dorëzuar nga deputetët e OBRM-PDUKM-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe “Të Majtës”.
Mediat vendase bëjnë me dije se, Xhaferi e ka ftuar në takim kryeministrin Zoran Zaev në Kuvend, ndërsa atje ka qenë edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Sipas informacioneve të deritanishme, është e paqartë sa deputetë do të votojnë për besimin e Qeverisë së Zaevit, të enjten.
Nga LSDM dje konfirmuan se Xhaferi e ka ftuar në takim Zaevin, për ta informuar për iniciativën për votëbesimin e Qeverisë dhe hapat e radhës sipas ligjeve.
Ndërsa nënkryetari i OBRM-PDUKM-së Aleksandar Nikollovski, pas dorëzimit të iniciativës, në konferencë për shtyp tha se ajo është nënshkruar nga 61 deputetë, por se bisedojnë intensivisht edhe me deputetë të tjerë.
Në lidhje me formimin e Qeverisë së re, ose zgjedhjet e reja eventuale, nënkryetari i OBRM-PDUKM-së tha se për këtë do të bisedohet pas të enjtes.
Ndërkohë theksojmë se nëse opozita rikthehet në pushtet, Maqedonia rrezikon të kthehet në pikën zero, pikërisht në periudhën kur Gruevski me qëndrime anti-NATO, anti-perëndimore dhe anti-shqiptare. Pasi përballë Zaevit dhe Ahmetit, përveç Mickovskit janë radhitur edhe partia Besa; koalicioni Alternativa-ASH si edhe partia “E majta”. Bëhet fjalë për një koalicion, i cili qëllim kryesor ka në fakt rrëzimin e Zaevit dhe BDI-së pasi nuk i bashkon asgjë si në politikë bërje as edhe raporti me orientimin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut.
Partitë shqiptare të Bilall Kasami; Zijadin Selës dhe Afrim Gashit janë bërë pjesë e një koalicioni ku gjendet edhe partia e famshme Maqedonase “E Majta”, e cila mban qëndrime krejtësisht anti-shqiptare dhe anti-Perëndimore. Seanca për votëbesimin e qeverisë është caktuar për të enjten në ora 11:00./abcnews.al