Të dielën në mbrëmje zhvillohet derbi i Milanos dhe Interi nuk ka alternativa përveç fitores. Për të vazhduar ndjekjen e Juventusit dhe për të zgjatur dominimin ndaj kushërinjve të Milanit. Zikaltrit nuk humbasin në derbi prej janarit të vitit 2016 (kuqezinjtë fituan 3-0) dhe në shtatë sfida e fundit kanë fituar katër e barazuar tre.
Conte duhet të bëjë pa shërbimet e Lautaro Martinez dhe Alessadro Bastonit. Sulmuesi u pezullua me dy ndeshje pas kartonit të kuq me Cagliarin, teksa mbrojtësi plotësoi numrin e kartonëve të verdhë. I riu Esposito dhe Alexis Sanchez janë në balotazh për postin përkrah Romelu Lukakut, por dilema ka edhe në mbrojtje.
Skriniar dhe De Vrij e kanë të sigurt postin e titullarit, teksa trajneri është në dilemë mes Diego Godin dhe D’Ambrosios për të plotësuar mbrojtjen me tre. Ish-kapiteni i Atletico Madrid është favorit, por Conte do të presë ditët e fundit për të vendosur përfundimisht. D’Ambrosio aktivizohet në rolin e mbrojtësit të djathtë, por ka treguar se di të bëjë mirë edhe qendërmbrojtësin në skemën me tre.
Dilema tjetër quhet Samir Handanovic. Kapiteni është i dëmtuar dhe mungoi në fitoren ndaj Udineses. Dëmtimi në gisht e pengon të stërvitet këto ditë, por portieri slloven do të bëjë maksimumin për të marrë pjesë në përballjen e zjarrtë.
Gjendja e tij po vlerësohet nga dita në ditë dhe vendimi final do të merret pak orë para fillimit të sfidës. Optimizmi në kampin zikaltër është i madh, por nëse 35-vjeçari nuk ia del mes shtyllave do të jetë Daniele Padelli. /abcnews.al