Reshjet e shiut dhe dëborës kanë sjellë problematika të izoluara në disa bashki të veriut të vendit, ndërsa autoritetet vendore raportojnë se situata po mbahet nën kontroll.
Në Bashkinë Shkodër, si pasojë e reshjeve është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Aksi është bllokuar për arsye sigurie dhe është vendosur sinjalistika përkatëse, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe normalizimin e qarkullimit. Ndërkohë, borëpastrueset kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të mbajtur të hapur aksin Qafë Thore–Theth.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë–Vermosh, ku janë evidentuar ngrica dhe po kryhet kriposja dhe mirëmbajtja e rrugës për garantimin e qarkullimit.
Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut kanë pushuar, por janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative. Grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të lartë. Janë raportuar rënie gurësh dhe dherash në disa rrugë rurale, por akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në Bashkinë Pukë, reshjet e shiut vijojnë të shoqëruara me erë të fortë, por deri më tani nuk raportohen problematika.
Sipas DRUK Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura apo digën e Rezervuarit të Shkodrës. Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilun dhe Ças, janë në funksion të plotë dhe në gadishmëri për të operuar me kapacitet maksimal nëse do të jetë e nevojshme. / abcnews.al/


