Reshjet e shiut në një pjesë të madhe të vendit ka krijuar problematika në disa zona. Ministria e Mbrojtjes njofton se aksi rrugor Skuraj-Burrel është liruar nga masivi i gurëve dhe qarkullimi vijon normalisht. Në Mirditë, uji nga përroi Zmeja ka dalë nga shtrati, shkaktuar prezencë të ujit në oborret e disa banesave.
Aktualisht, niveli i ujit është stabilizuar pas ndërhyrjes së strukturave lokale të emergjencave civile. Edhe në Vlorë situata është në përmirësim ndërsa strukturat lokale të mbrojtjes civile po punojnë për normalizimin e plotë. Vështirësi paraqiten edhe në Kurbin, Kukës, Shkodër, Durrës e Sukth.
“Sipas raportimeve nga strukturat e Mbrojtjes Civile në Prefektura dhe Bashki, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata në disa zona të prekura nga reshjet me intensitet mesatar paraqitet si më poshtë:
Në Lezhë, në aksin rrugor Skuraj-Burrel, ka ndodhur renie masive e gurëve dhe bllokim i rrugës. Aktualisht, rrugët janë pastruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet në fshatin Shkopet. Në Mirditë, uji nga perroi Zmeja ka dalë nga shtrati në disa vende, shkaktuar prezencë të ujit në oborrat e disa banesave. Aktualisht, niveli i ujit është stabilizuar pas ndërhyrjes së strukturave lokale të emergjencave civile.
Në Vlorë, ka pasur prezencë të ujit dhe inertesh në disa zona të vogla, por situata është në përmirësim dhe strukturat lokale të mbrojtjes civile po punojnë për normalizimin e plotë. Në disa qytete të tjera si Kurbin, Kukës, Tropojë, Shkodër, Durrës dhe Sukth, janë raportuar disa vështirësi, por të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar qytetarët.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile dhe strukturave të Mbrojtjes Civile në Prefektura dhe Bashki, ndjek në kohë reale situatën duke koordinuar dhe bashkërenduar strukturat operacionale të pushtetit vendor dhe qendror për menaxhimin e çdo emergjence të krijuar!“, njofton ministria.