Tensionet e krijuara gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës janë analizuar nga ish –ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Arben Çejku si një mundësi për kryeministrin Kurti që të shohë mundësinë për tejkalimin e kësaj situate, qoftë edhe duke marrë përsipër edhe një kosto politike për zgjedhje të parakohshme.
I ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, ish-ambasadori Arben Çejku u shpreh që projekti franko – gjerman është një mundësi shumë e mirë për pranimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij ky projekt parashikon mospengimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, për tu anëtarësuar në OKB, për tu anëtarësuar në Këshillin Europian, pranimin nga 5 vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur akoma si dhe një mundësi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
‘Kurti duhet të shohë mundësinë për tejkalimin e kësaj situate, duke marrë dhe një kosto politike, duke menduar për zgjedhje të parakoshme, sepse aktualisht Kosova është vendosur në ‘corner’ në një cep’, u shpreh ish-ambasadori Çejku.
Sipas tij, kryeministrit Kurti i është ‘këshilluar në mënyrë të vazhdueshme shtyrja e afateve, nuk e di se kush janë partnerët më të mëdhenj të Kosovës se SHBA apo BE’. Sipas tij, lëvizja e Kurtit me targat, tregon edhe një humbje të shansit për ta mbajtur presionin te Beogradi.
‘E vërteta është kjo, nga gjithë retorika e SHBA apo BE, Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës, si një e pavarur, për të dy palët duket e pamundur, por një ditë Serbia duhet ta njohë Kosovën. Nuk ka rrugë tjetër, nuk do të ketë një ndalje të presionit mbi palët, nuk e di sesa do ti rezistojë Kurti këtij presioni’, tha ish-ambasadori Çejku.
Për ish –ambasadorin Arben Çejku e ardhmja duket e paqartë, nuk e di ‘sesi do të ndërveprojnë palët por duket se ka një kokëfortësi të Z. Kurtit. Prandaj dhe ndërkombëtarët kanë dalë me deklarata publike, ka një tension, dhe ka një keqardhje dhe një thyerje të besimit ndaj Z. Kurti’.
Gjithashtu sipas Çejku ka dhe një ngërc në marrëdhëniet e tij me SHBA.
‘Nuk është vetëm Z. Haradinaj, por janë dhe disa zyrtarë të tjerë, sot ishte dhe një zyrtar i lartë Vetëvendosjes, me poste të larta në qeveri, që thoshte Z. Kurti ka prishur marrëdhëniet me SHBA’, tha Çejku.
Sipas ish –ambasadorit Arben Çejku ‘po i jepen shanse Serbisë që të paraqitet si një viktimë, Kosova të gjithë hapat që duhet të ndërmarrë duhet ti bëjë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët përfshijnë të gjithë sferën. Ne nuk mund të prodhojmë politikë ditore, dhe axhenda çdo muaj, nuk do të vijnë Shtetet e Bashkuara dhe BE për ta na ndihmuar në axhenda lokale’, u shpreh Çejku.