Situata në Venezuelë, Maduro i thotë jo BE-së

schedule10:59 - 4 Shkurt, 2019

schedule 10:59 - 4 Shkurt, 2019

Në Venezuelë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme presidenciale. Në këtë mënyrë Nicolas Maduro ka refuzuar ultimatumin e vendosur nga disa vende të Bashkimit Europian duke mos përjashtuar mundësinë e një lufte civile në vend.

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro refuzoi ultimatumin e vendosur nga shtatë vende europiane për zgjedhje të parakohshme presidenciale, pas vetëshpalljes si president të liderit të opozitës në vend Juan Guaido. Grupi i shteteve të Bashkimit Europian mes të cilëve Franca, Britania e Madhe dhe Spanja i kishin dhënë kohë Maduros deri të dielën për të shpallur zgjedhjet presidenciale, në të kundërt do të njiihnin liderin e opozitës si president të ligjshëm. Por Maduro theksoi se nuk do të dorëzohet.

Presidenti venezuelian ndër të tjera i ka përsëritur Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të shtetit për të mos përsëritur një situatë të njëjtë me atë në Vietnam. I pyetur nëse situata në vend mund të degjenerojë në luftë civile, Maduro reagoi duke thënë se askush nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Sipas tij çdo gjë varet nga niveli i çmendurisë dhe agresivitetit të imperialistëve të veriut dhe aleatëve të tyre perëndimorë. Maduro premtoi se është gati të mbrojë vendin e tij.

Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se ndërhyrja ushtarake mund të jetë një opsion, Maduro u përgjigj se Uashingtoni rrezikon të shkaktojë një Vietnam të dytë.

“Ndalo. Donald Trump! Po bën gabime që do të të njollosin duart me gjak dhe do të lësh një presidencë të njollosur. Duhet respekt reciprok përndryshe do të ketë një Vietnam në Amerikën Latine”.

Nga ana e Maduros, dhe kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, është rreshtuar dhe Rusia sipas së cilës përdorimi i forcës hedh në erë të gjitha principet bazë të së drejtës ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shpjegoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se duan një ndërrim regjimi me çdo kusht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!